TIRANE, 10 prill 2013 – Pasi largohet Anaidi nga dhoma e gjumit, aty shkon Joana, e cila vazhdon të diskutojë me Elenën lidhur me marrëdhënien e saj me Viganin. Ajo e këshillon që të mos i lërë të kuptojë Viganit se ndihet xheloze për të, pasi ai do të marrë shkas nga ky fakt dhe do të rrijë enkas me vajzat e tjera të shtëpisë.

Sipas Joanës, Elena duhet të tregohet menefregiste ndaj tij. Elena e dëgjon, por i thotë se mendimi që i dha Anaidi bie ndesh me mendimin e Joanës. Anaidi e këshilloi pak më parë që Elena t’i lërë të kuptojë Viganit se po ndihet xheloze për të dhe jo vetëm kaq, por t’i kërkojë që të mos rrijë më afër Oltës. “Unë nuk jam dakord me mendimin e Anaidit”, thotë Joana, por i kërkon që ajo të distancohet nga Iliri dhe Olta, pasi ata janë duke e përdorur sipas interesave të tyre.

Më pas, të dyja shprehin dyshimet që kanë për Anaidin dhe Viganin, duke aluduar se të shtunën do të futen dy banore të reja. Ato mendojnë se të dy djemtë kanë një plan dhe se ky plan është distancimi prej atyre të dyjave, në mënyrë që gjatë natës të së shtunës të afrohen me vajzat e reja.
Joana mendon një strategji për momentin kur do të hyjnë dy banoret e reja. “Ne do të rrimë me ato, do t’i bëjmë shoqe të ngushta”, thotë Joana, megjithëse dyshon se ata kanë filluar të largohen që tani prej tyre. “Por prapë i vjen inat që unë rri më Edberin”, thotë Joana për Anaidin.
Vajzat mendojnë që të bëjnë të pamundurën që t’i fitojnë sërish djemtë edhe nëse shikojnë që djemtë do të afrohen me dy banoret e reja. “Do të sajojmë ndonjë bast e do t’i bëjmë masazh”, sugjeron Elena.

Joana i tregon Elenës rreth një bisede që ka bërë me Edberin dhe simpatinë që ka ai për të. “Më tha që jam shumë inteligjente, tërheqëse dhe provokuese dhe që më pëlqen shumë”, tregon Joana. Ajo është në dyshim për faktin se si do ta presë Anaidi këtë gjë, pasi do t’ia tregojë edhe Anaidit. Elena qesh teksa e dëgjon dhe e këshillon që t’ia thotë Anaidit këtë gjë, por duke e pyetur se çfarë mendon ai, në mënyrë që të kuptojë nëse ai ndien për të apo jo. Pas pak aty shkon Eldora dhe diskutimi i tyre merr fund.