TIRANE, 10 prill 2013 – Bashkia e Tiranës njofton qytetarët se për shkak të zbatimit të fazës së dytë të punimeve të objektit "Rikonstruksioni i rrugës së Dibrës", i cili do të kryhet nga firmat "Arifaj” sh.p.k dhe "Kombeas" sh.a, do të ndryshojë itinerari i lëvizjes së automjeteve në këtë rrugë.
Bashkia bëri të ditur se gjatë punimeve ndalohet qarkullimi i mjeteve në rrugën e Dibrës, nga kryqëzimi me rrugën e "Barrikadave", deri në kryqëzimin me rrugën "Siri Kodra" (sipas sensit të lëvizjes, nga perëndimi në lindje).
Ndërsa qarkullimi i automjeteve, autobusëve dhe mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit, në segmentin e rrugës së Dibrës, nga kryqëzimi me rrugën ”Siri Kodra” deri në kryqëzimin me rrugën “Barrikadave” do të kryhet me një sens lëvizjeje, sipas drejtimit lindje – perëndim.
Gjatë kësaj faze, stacioni i linjave të transportit urban do të zhvendoset në rrugën "Ferit Xhajko", para kryqëzimit me rrugën "5 Maji".





