KORE E JUGUT, 10 prill 2013 – Spiunia më e famshme e Koresë së Veriut, e cila vendosi një bombë në një avion, duke i marrë jetën 115 udhëtarëve, foli në një intervistë të rrallë për një program australian.
Kim Hyun-hee, qe ishte mesuar ta adhuronte Kim Jong-il si një Zot, tentoi disa herë të vriste veten pas arrestimit. Ajo më pas u ekstradua në Korenë e Jugut, ku u dënua me vdekje, por jo vetëm që nuk u ekzekutua, ajo u fal dhe tashmë bën një jetë të zakonshme dhe është nënë e dy fëmijëve.
Historia e pabesueshme e jetës së 51-vjeçares, u rrëfye për herë të parë në “Australian Broadcasting Corporation”. Në vitin 1987, e shoqëruar nga një agjent tjetër, pasi një programi disa-vjeçar “shplarje truri” në vendin e saj të origjinës, Hyun-hee vendosi një bombë të sofistikuar në një avion, gjatë udhëtimit nga Europa në Bahrein.
Bomba, e programuar për të shpërthyer në pjesën e dytë të fluturimit, nga Bahreini në Korenë e Jugut, i mori jetën 115 udhëtarëve.
Atentati u krye me urdhër të diktatorit të atëhershëm Kim Jong-il, i cili dëshironte të dekurajonte turistët, për Lojrat Olimpike të Seulit, në vitit 1988.
Në Bahrein, spiunia u arrestua së bashku me “babain” për falsifikim dokumentash. Të dy tentuan të vetvriteshin me cigaret e cianurit që kishin me vete, por ndërsa partneri i saj ia doli, Kim u kap në kohë dhe u pengua që të vriste veten.
Më vonë, ajo u zhvendos në Korënë e Jugut, ku u dënua me vdekje, por duke gjykuar nga gjendja e saj dhe duke vlerësuar se urdhëri kishte ardhur direkt nga diktatori Jong-il, gruaja u fal dhe u lirua.
Sot ajo është e martuar me dy fëmijë dhe bën një jetë të zakonshme në Seul, por çdo ditë ngrihet me frikën se spiunë koreanoveriorë mund të mbërrijnë për ta vrarë.





