Ekspozitë në FAB mbi modelen Majlinda Hadëri.
Më erdhi keq që u nda me Matildën, duheshin shumë. Edi, çun i mirë, po kokëshkretë si tani”
“Majlinda forever”, 40 vite mes studentëve dhe pedagogëve të Arteve.
“Me paratë që marrim, s’blen dot një fustan”
Shumë studentë e profesorë kanë ikur e kanë ardhur, por Maja ka mbetur. Po bëhen 40 vjet, mbase më shumë… Kush i mban mend vitet.. Ndaj edhe kuratorët, ekspozitën me punë që kanë pasur si modele Majën, e kanë titulluar “Majlinda Forever”. Si pjesë e procesit mësimor dhe artistik, kuratorët Arben Bajo dhe Ermir Hoxha kanë nxjerrë nga fondi i Fakultetit rreth 25 punë në vizatim, pikturë e skulpturë, që kanë si subjekt modelen më të vjetër të Universitetit të Arteve. E kolme, me një të qeshur të fortë, kur hyn Maja në korridor, ndihet në gjithë Fakultetin. Studentët e duan, bëjnë shaka me të, ajo u jep mendime për punët… “Hë, ka dalë mirë tani eee”, thotë ajo një studenteje të përlyer me baltë deri në bërryla. Majlinda Hadëri ka rreth 40 vjet që bën modelen në Fakultetin e Arteve të Bukura. Dhjetëra studentë, e sot piktorë me emër, kanë hedhur në letër a baltë linjat e Majës. Një ndër ish-studentët ka qenë edhe Edi Rama, tashmë kreu i Partisë Socialiste. Maja e kujton si një djalë të rregullt, por “kokëshkretë si sot”. Kujton kohën kur ai ishte i fejuar me Matilda Makoçin. “Duheshin shumë”, thotë ajo. Gjatë 4 dekadave punë, Maja ka mësuar të jetë e vëmendshme. Edhe pse duket sikur sheh punën e vet, syrit të saj nuk i kanë shpëtuar vajzat me të cilat shoqërohej atëherë studenti i Pikturës, më pas shef katedre në të njëjtin Fakultet.
Maja ishte fare e re kur erdhi nga Gjirokastra në kryeqytet. “Ashtu më erdhën punët. S’kisha pasaportizim e s’gjeja dot punë. Sa të rrija kot, fillova këtu”, tregon Maja. Thotë se në fillim kishte turp të zhvishej, kurse tani për të është një punë si gjithë të tjerat. “Dua, pa e bëj”, thotë ajo. Është e pamartuar dhe jeton në një dhomë me qira, rrugës kur shkon për në Yzberisht… Thotë se me paratë që merr nga puna si modele është shumë e vështirë të jetosh si duhet. Vitet para ’90-s i quan “koha e Enverit”. “Në kohën e Enverit, leku kishte duk e kisha mundësi të blija dhe ndonjë fustan”, thotë Maja, teksa shton se ka qejf të mbahet, të vishet mirë. “Do vishja një kostum të kuq sot, po është kohë e keqe, na griu shiu…”. E në të vërtetë, duke ndenjur gjithë ditën me të rinjtë, përpiqet të duket sa më e re. Duart i ka të mbushura me unaza e byzylykë, ndërsa në qafë, mbi një bluzë të kuqe, ka varur ca rruaza të mëdha, të bardha…
INTERVISTA
Majlinda, sa vjet t’u bënë që punon në Akademi si modele?
Avash-avash po bëj 40 vjet që punoj këtu. Më shumë e kaloj kohën këtu se në shtëpi. Me thënë të drejtën, nuk rri dot pa ardhur.
Pse zgjodhe të bëheshe modele?
Ashtu më erdhën kushtet e mia. Fillimi ishte i vështirë. Që të mos rrija pa punë më thanë të vija këtu. Në kohën e Enverit nuk kisha as dokumente, se nuk kisha bërë pasaportizimin, nuk gjeje dot punë dhe u detyrova të filloja këtu.
Nuk e kishe problem të zhvisheshe në sytë e studentëve?
E kisha shumë të vështirë në fillim. Jam zhveshur me shumë siklet. Po më thanë që kjo është puna, po deshe rri, po deshe ik. Por tani s’e kam problem fare. Dua, pa e bëj këtë punë. Më pëlqen të bëj modelen dhe s’bëj punë tjetër.
E bënte më të sikletshëm mentaliteti i kohës?
Po koha ishte. Por s’kishim probleme, nuk na ngacmonte njeri, se nuk thosha se çfarë pune bëja. Shumë vonë njerëzit e kanë mësuar se çfarë bëj.
Ka njerëz që ju paragjykojnë?
Ka sa të duash, disa e hedhin edhe me kunja. Nuk ta thonë në sy, por ta hedhin ndonjë fjalë nga larg. Po unë s’e kam problem. Përderisa kam zgjedhur këtë profesion, do t’i dal për zot e do t’i shkoj deri në fund..
Shumë breza studentësh kanë mësuar dorën, duke vizatuar trupin tënd…
Që në kohën e Enverit e deri tani kam kaluar shumë breza, por ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri. Dikur punonin dhe më shumë, bëhej mësimi tamam. Jo se tani nuk punohet, po gjërat kanë ndryshuar nga të gjitha anët.
Si kanë ndryshuar?
Atëherë kanë qenë edhe të dashur, edhe të respektueshëm, më të urtë, më të turpshëm, punohej më shumë, nuk kishte pushime kaq të zgjatura… Ky brezi i tanishëm nuk mbahet.
Ka ndonjë student apo pedagog që e keni pasur më për zemër?
Jo, të gjithë i kam njësoj, të gjithë punojnë shumë mirë, po dhe ne bëjmë punën tonë.
Po për Edi Ramën keni pozuar?
Posi, si nuk kam pozuar. Ai merrej edhe me sport asokohe, me basketboll më duket. E mbaj mend shumë mirë.
Ç’student ishte, si sillej me ju?
Vallahi ishte student shumë i rregullt, punonte, sillej mirë me ne. Po ishte kokëshkretë. Atë tip që ka tani, ashtu e kishte dhe atëherë, as ka ndryshuar fare.
Po kur u bë shef katedre, ndryshoi sjellje?
Jo, jo, nuk na binte në qafë. Ka qenë çun i mirë, kishte shumë shoqëri. Rrinte shumë me këta të dramës. Kishte shoqe të ngushtë bionde Ketin, që është gazetare e TVSH-së, rrinte dhe me një sarandjote. E mbaj mend kur u fejua me Matildën, çfarë çifti që ishin!
Ju erdhi keq kur u ndanë?
Shumë më ka ardhur, se ata e donin shumë njëri-tjetrin. Ishin çift i bukur… Nuk e besoja dot. Kur e kisha shtëpinë në Kombinat, Matilda e kishte te Porcelani dhe bënim një copë rrugë bashkë me autobus e pastaj më këmbë. Ishte vajzë shumë e mirë dhe më erdhi shumë keq. E kam takuar para ca kohësh dhe më njohu menjëherë. U çudita, se kisha dëgjuar që është e sëmurë. Më foli, më thirri në emër, më pyeti…
Më vonë e keni takuar Edi Ramën?
Kur u bë ministër ai u shkëput nga Akademia, po unë e kam takuar. Më ka ndihmuar kur doja ndonjë punë shtesë, për të pastruar. Se një farë kohe bëja dy punë, kurse tani vetëm si modele. Edi është djalë i mirë, po e sulmojnë kot, e kanë inat.
Po me të atin e tij keni punuar?
Po, po edhe Kristaqi ka punuar këtu, po si pedagog i jashtëm, se atëherë punonte edhe në Komitet. Ka qenë burrë zotëri. Unë për vete kam shumë respekt për familjen e tyre.
Maja, si paguheni?
Pagesën, të them të drejtën, e kemi pasur të vogël. Tani, ka ca muaj që na u rrit një çik rroga, mirëpo na kanë shkurtuar orët dhe është shumë dobët. Flas për vete, me zor e marr një dyqindëshe. Ka rënë leku moj motër. Patjetër që krizë ka, po ç’punë ka kriza me mua?! Modelet e viteve të dyta dhe të treta nuk i marrin lekët e rregullta. Këtë vit një herë ka qenë shumë dobët, skandal fare dhe jam e mërzitur.
Ç’arsye ju kanë nxjerrë që nuk i keni marrë pagesat?
Thonë që nuk ka fonde. Mbase janë shkurtuar edhe orët e studentëve, por ç’punë kam unë… Më mirë mos merr shumë modelë dhe ata pak trajtoi të gjithë njëlloj, jo ca më shumë, ca më pak.
Po në “kohën e Enverit” sa paguheshe?
Atëherë ka qenë 40 lekë ora, nudo (vetëm me të brendshme). Po të paktën atëherë kishte duk edhe leku, blije diçka. Atëherë merrja mirë dhe më dilte të blija dhe ndonjë fustan, që në ato kohëra nuk ishte kollaj. Lekët i merrnim te llogaria, kurse tani sorollatemi sa te bankat, te financa… Kam shkuar dy herë në Kryeministri për punën e rrogave, se na sorollatin shumë. Nuk di si do t’i vejë halli.
Po tani sa lekë merrni për orë?
Tani është 3 mijë lekë (të vjetër) ora, po jo mbajnë tatim mbi fitimin, jo taksa, jemi pa siguracione, pa gjë…
Jeni mërzitur? Ju shkon mendja të hiqni dorë?
Unë do vazhdoj sa të kem mundësitë e mia. Do t’u përshtatemi edhe kushteve. Këto mundësi janë, këto do pranojmë, s’kemi ç’bëjmë, se s’ke ku të vesh, ku të ankohesh. Pa pension, pa siguracion… Më shkoi e gjithë jeta kot… Ja do plakem, me se do mbahem, Zoti na ndihmoftë!
Nuk ke provuar ndonjë punë tjetër?
Kam punuar moj, kam punuar, po jo shumë vite. Kam punuar edhe në Kombinatin Tekstil këtu, edhe në Gjirokastër kur isha, në pyjore, në punishte druri… nuk kam qenë pa punë. Kam filluar të punoj që e vogël, po zura këtë punë dhe mbeta këtu.
I shikoni punët kur mbarojnë, si ju duken?
Në fakt, kënaqem kur shoh se më kanë kapur në karakter, se jo të gjithë e arrijnë këtë. Portretin për shembull e kanë shumë të vështirë. Kurse për trupin e arrijnë, se janë forma të mëdha dhe e hedhin pa problem.
Duket se ju kanë më shumë qejf studentët e Skulpturës…
Te Skulptura është më e përshtatshme, sepse punojnë me vëllime, kurse tek Piktura i duan njerëzit pak më elegantë, se nuk kanë fletë vizatimi që t’i nxërë të gjitha format e trupit, kurse tek balta i bëjnë si të duan ata… Tani jam shëndoshur, por kam qenë e dobët..
Dikur besoj keni qenë më e kërkuar te Piktura?
Kam punuar edhe në pikturë dhe në skulpturë, kam lëvizur ku kishte nevojë. Atëherë kishte dhe modele të tjera, tani nuk ka mbetur asnjë nga ato. Këto të tanishmet janë të reja.
Si ju duken këto modelet e tanishme?
Po mirë moj, mirë janë, bëjnë punën e tyre, hallexhie janë. Mundohen..
Ka xhelozi mes njëra-tjetrës?
Patjetër që ka. Ku ka punë pa xhelozi. Unë kam një jetë dhe nuk bëj numra, kurse këto vijnë sot dhe bëjnë tangërllëqe. Këto nuk më pëlqejnë. Janë ca tipa këtu… Çdo gjë me moshë. Ndryshe kam qenë kur isha e re.
Nga vijnë përgjithësisht modelet, janë nga Tirana, nga rrethet…?
Nga Tirana janë, nuk ka asnjë të ardhur. Dhe unë u bënë 40 vite këtu, kam ardhur që e vogël, u rrita në Akademi… As e mbaj se ç’vit ka qenë. Ka mundësi që në ’78-n, se kam punuar edhe me profesor Guri Madhin. Mos të them 4-5 breza… Edhe këta profesorët që janë tani kanë kaluar në dorën time…
Nga vizatimet duket se keni qenë shumë e bukur në të ri, ka pasur raste kur ndonjë student a profesor ju ka parë më shumë se si modele?
Eee, kam qenë e mirë… Jo, moj jo, s’kam pasur probleme të tilla… (ndërkohë studentët e ngacmojnë Majën: hë Maja trego se ke sekrete shumë ti!). Ik mor shejtan, s’të lënë rehat këta…
Mua më respektojnë të gjithë pedagogët, që nga të Muzikës dhe të Dramës… Po dhe unë e kam mbajtur çik veten dhe po e mbaj akoma. Mundohem. Më pëlqen të vishem e të kombinohem.
Të bëjnë komplimente?
U, plot, ku të lënë këta, janë shejtanër…
Shejtanër, po pak më parë u kishe sjellë kulaç nga shtëpia…
Po kur bëj ndonjë gjë, e ndaj…
Ekspozita “Majlinda forever”
“Majlinda Forever” është një ekspozitë me punime të mbledhura nga karriera e gjatë e modeles Majlinda Hadëri, pranë Fakultetit të Arteve të Bukura. Duke e konsideruar Majën si pjesë të procesit pedagogjik, por edhe atë krijues, kuratorët Arben Bajo dhe Ermir Hoxha kanë nxjerrë nga Fondi i FAB rreth 25 punime në pikturë, skulpturë, vizatim, që kanë për subjekt vetëm këtë modele. Punimet u takojnë viteve të ndryshme, duke e treguar Majën më periudha të ndryshme të jetës së saj, që kur ka qenë fare e re e me linja të holla, deri tani, kur format e saj të rrumbullakosura merren më së shumti si model nga studentët e skulpturës. Ekspozita “Majlinda Forever” do të hapet nesër, në orën 11:00, në Galerinë FAB të Universitetit të Arteve.
/Panorama/





