TIRANE, 10 prill 2013 –Në mbledhjen e përjavshme të qeverisë, kryeministri Berisha sulmoi kryetarin e PS-së Edi Rama për premtimet e tij për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Sipas shefit të qeverisë, “teoria e Ramës për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve, duke u bërë proceset gjyqësore, është zbatim i doktrinës së etërve të tyre, që nuk do të ndodhë kurrë”. 

Kryeministri Berisha gjithashtu akuzoi kreun e PS-së se po tenton t`i përçajë ish-të përndjekurit politikë. 
“Rama tha se spaçi ka qenë një pasuri e madhe, Spaçi ka qenë një ferr. Për etërit e Rames natyrisht që ishte pasuri, por për ata që e vuanin ishte një ferr. Zoti Rama duhet ta dije se ka ligje ky vend, ky do të rikthehet në kohen e Ramiz Alisë, nuk mund të rikthehet më. Le të vazhdojë edhe pak kohë këto përçarje, se e vërteta është se ora po afron, dita po afron, energjitë po e lëshojnë, këto janë punët e tij, unë çështjet i kam me zgjedhësit”,- u shpreh kryeministri. 

PROGRAMI I PS PER ISH TE PERNDJEKURIT

“Skema jonë e re e kompensimit për të përndjekurit politikë do të zgjerojë grupin e përfituesve dhe do të zbatojë një shpërblim progresiv, në varësi të viteve të dënimit. Dëmshpërblimi për të përndjekurit mbi moshën 75 vjeç do të kryhet brenda një viti. Politikat tona publike dhe sociale do të respektojnë statusin e ish-të përndjekurit. Të gjitha shërbimet publike për ish-të përndjekurit do të përballohen nga shteti. 
Ne do të ngremë një institucion europian të kujtesës historike që do të dokumentojë dhe bëjë të aksesueshme për publikun historinë e persekucionit nën regjimin komunist”. 

BERISHA VLERESON MINISTRAT E RINJ

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Berisha vlerësoi ministrat e rinj, të cilët i uroi për nisjen e detyrës, pas largimit të LSI-së nga koalicioni. Berisha uroi ministrat e rinj, Visar Zhiti, Halim Kosova dhe Florion Mima, përkatësisht në krye të Ministrisë së Kulturës, Shëndetësisë dhe Ministrisë së Ekonomisë. 

"Uroj edhe njëherë detyrën ministrave të rinj, personalitet në fushat të cilat meritojnë në këtë qeveri, poetin dhe shkrimtarit të shquar, Visar Zhiti, njërit prej rezistentëve të pamposhtuar të regjimit diktatorial, që zgjodhi në mbrojtje të vlerave të lirisë kundërshtimin e një regjimi barbar. Zhiti është një përfaqësues i elitës kulturore të vendit, por edhe një përfaqësues i shpirtit të qendresës të kombit shqiptar. Ministri Halim Kosova, njeriu që i frymëzuar nga parimet më të larta njerëzore në shërbim ndaj njeriut, në njërën prej fushave më delikate e të rëndësishme ka shkrirë energjitë e tij me sukses të madh, përkushtim. Ai ka dëshmuar gjatë këtyre viteve aftësi të shkëlqyera menaxhuese që nuk është shumë e zakonshme në botën medikale, ndaj edhe në këtë aspekt ky sektor udhëhiqet jo vetëm nga një personalitet me kompetencë shkencore, me aftësi profesionale të madhe përkushtim e humanizëm të lartë, por nga një personalitet me aftësi menaxheriale shumë të zhvilluara dhe kam besimin se reformën do ta cojë përpara’- tha Berisha, ndërsa vlerësoi edhe kreun e ri te Ekonomise, Florion Mima. 

“Shkëlqen me mungesën e tij ministri i ekonomisë, Florion Mima, që është në një detyrë. Ai ka kontribut shumë të rëndësishëm në të gjitha reformat e kryera gjatë këtyre viteve nga qeveria e PD dhe koalicionet e saj, me aftësi profesionale, dinjitet dhe përkushtim të madh. Do vazhdojmë vendosmërisht reformat.”- tha kryeministri.

QEVERIA HEQ TAKSEN PER TOKEN BUJQESORE, PËRGJYSMON TAKSAT PER MAKINAT E PËRDORURA

Qeveria miratoi në mbledhjen e sotme, vendimin për heqjen e taksës 10% për tokën që shitet për qëllime bujqësore dhe përgjysmimin e taksës për makinat e përdorura. Duke prezantuar vendimin, kryeministri Berisha, garantoi fermerët se vendimet e qeverisë janë në favor të tyre, ndërsa kërkoi nga ministri i Financave, Ridvan Bode që të shikohen problemet që lidhen me TVSH-në dhe që shqetësojnë fermerët. 
"Sot vendosim të përjashtojmë tokën që shitet për qëllime bujqësore nga taksa 10%. Kjo bëhet në mënyrë që të hapet mundësia e tregut të tokës dhe ai të jetë sa më i lirë. Kjo gjithashtu, bëhet në përgjigje të kërkesës së fermerëve, të cilët janë të vendosur të zmadhojnë fermat e tyre dhe të rrisin punësimin", u shpreh kryeministri. 

Referuar bashkëbisedimeve të fundit me fermerët, ai bëri prezente shqetësimet e tyre që lidhen me TVSH-në dhe që duhet të marrin zgjidhje. "Zoti Bode duhet të zgjidhet çështja e tyre, se ne u njohim 6% TVSH, ndërsa ata e shesin me 20%. Ne do ta zgjidhim gjithçka në favor të fermerëve", theksoi Berisha. 

Në përgjigje të këtij shqetësimi, ministri i Financave tha se ne "nuk kemi se çfarë t'i rimbursojmë më. Janë zero, të gjitha imputet janë përjashtuar". 
Një tjetër vendim i miratuar sot nga qeveria është dhe ai që lidhet me përgjysmimin e plotë të taksave për makinat e përdorura. Kryeministri e konsideroi këtë një vendim të drejtë, nga i cili përfitojnë ata që kanë më pak. 

Gjithashtu qeveria ratifikoi sot edhe marrëveshjen për gazsjellësin TAP. Kryeministri komentoi shkurt vizitën e tij në Azerbajxhan, duke theksuar se u kthye nga Baku me optimizëm real për një vendim pozitiv për ndërtimin e gazsjellësit TAP. 

BERISHA: TË SHTYHET AFATI I PËRDORIMIT TË LETRAVE ME VLERË

Kryeministri Berisha kërkoi në mbledhjen e sotme të qeverisë shtyrjen e afatit të përdorimit të letrave me vlerë, deri në gjysmën e parë të mandatit të ri. Në fjalën e tij kreu i qeverisë i kërkoi ministrit të Punëve Publike, të Financave dhe Ekonomisë, që në mbledhjen e ardhshme të përgatisin vendimin për dyfishimin e përdorimit të letrave me vlerë. 
"Do të përgatisim vendimin ose dhe ndërhyrjen në ligj për dyfishimin fiks të përdorimit të letrave me vlerë. Aty ku janë 20 do të bëhen 40, ndërsa aty ku janë 30 do të bëhen 60. Vendimi të vijë në qeveri për të shtyrë afatin e përdorimit deri në gjysmën e parë të mandatit të ri", u shpreh Berisha.