TIRANË, 10 prill 2013- Forumi i grave të Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, është shprehur sot në mbështetje të protestës së komunitetit çam por jo vetëm, të organizuar nga Shoqata “Çamëria”, e paralajmëruar të mbahet ditën e enjte para godinës së Parlamentit të Shqipërisë.
Gjatë një konference për shtyp, drejtuese të këtij forumi kanë ftuar të gjithë bashkëkombasit që të dëshmojnë vetëdije dhe krenari kombëtare duke marrë pjesë masivisht në këtë protestë paqësore.
Forumi i grave çame, gjykon se projekt-rezoluta adreson më së miri një tragjedi shqiptare që pret 70 vjet të zgjidhet dhe çdo indiferencë apo vonesë e mëtejshme është e papranueshme.
“Është e pakuptueshme se si klasa politike shqiptare, ka treguar më shumë dinjitet duke e shtruar çështjen çame me kurajo që në fillimin e tranzicionit, atëherë kur vendi ynë ishte i mjeruar prej komunizmit, ndërkohë tani që jemi futur në dekadën e tretë të demokracisë, përpjekjet për ta zgjidhur këtë çështje janë duke u penguar”, thuhet në deklaratë.
Duke iu referuar fakteve historike ku gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë nuk kurseu mijëra gra, pleq e fëmijë, gratë çame i drejtohen veçanërisht dhembshurisë të të gjitha grave shqiptare, që në shenjë respekti për viktimat e pafajshme, të solidarizohen me to dhe të marrin pjesë në protestën e ditës së enjte.





