TIRANË, 10 prill 2013- Nënkryetari i LSI-së Ylli Manjani ka komentuar sot pretendimet e PR dhe deklaratat e PD-së se anëtari i LSI-së në KQZ duhet të dorëhiqet. Sipas tij, zgjedhja e cdo anëtari është bërë konform Kodit Zgjedhor dhe politika nuk mund të ndërhyjë për të ndryshuar anëtarët. 

“PR nuk kërkon anëtarë të KQZ. KQZ është ndërtuar mbi bazën e kodit zgjedhor konsensual, partitë nuk kanë punë me axhendën dhe anëtarët e KQZ që mbrohen me ligj, ata emërohen dhe shkarkohen nëse nuk kryejnë detyrën. Është cështje juridike, politika nuk ka punë. KQZ është standardi nr.1 i lirisë në procesin e zgjedhjeve”, tha ai. 

Cdio ndërhyrje, sqaroi Manjani cënon standardet e procesit të zgjedhjeve. 

“Tendenca për ta ndryshuar përbërjen e tij është një standard për të cenuar procesin e zgjedhjeve”. 

Ndër të tjera, Manjani deklaroi se LSI mbështet paketën e propozuar nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani. Ai i bëri thirrje të gjitha partive të votojnë pro kësaj pakete që nxit kreditimin. 

“ Jam sot këtu për të dhënë mbështetjen maksimale ndaj paketës së Bankës së Shqipërisë, është shumë e rëndësishme, ndihmon të gjithë biznesin duke cliruar kredidhënien, duhet mbështetur me cdo kusht. I bëjmë thirrje gjithë partive, të lënë gjithcka nga fushata dhe të japin mbështetjen për këtë rezolutë”, tha ai. 

“Nxisim qeverinë që ta sjellë këtë propozim sa më parë në Kuvend me procedura të përshpejtuar po të jetë nevoja. Të mos injorojmë kërkesat e institucioneve të pavarura”, shtoi më tej Manjani.