DURRES, 10 prill 2013 – Pushuesit që do të frekuentojnë këtë verë zonën bregdetare nga Shkëmbi i Kavajës, në drejtim të Durrësit nuk do të vuajnë furnizimin me ujë të pijshëm. Garancia vjen nga Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës Doklead Ademi, i cili garanton furnizim pa ndërpreje për të gjithë zonat turistike bregdetare që janë nën administrim të kësaj ndërmarrje, duke i ofruar pushuesve, por edhe banorëve të zonës shërbimin e munguar prej vitesh. Teksa rendit investimet e kryera nga ndërmarrja që ai drejton, Doklead Ademi, pohon se është investuar në shtrimin e linjave të reja në zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës, në Plazh, si dhe në drejtim të përmirësimit të furnizimit me ujë të zonës së ish Kënetës, rehabilitimin e tubacionit të Fushë Kuqes, kontrollin dhe menaxhimin online të pikave kryesore si edhe vendosjen e paneleve elektrike të Stacionit të Pompimit në Fushë Kuqe.

Ndërkaq Ademi sqaron se përgjatë këtyre viteve është arritur të bëhet furnizmi me 24 orë ujë i zonës së Shkozetit, si në Xhafzotajt.  "Përkatësisht ne kemi investuar në rikonstruksionin e linjave të reja të ujësjellësit të cilat kanë ndikuar gjithashtu edhe në përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm të zonave dikur problematike si Plazhi, Shkozeti, Sukthi, ish-Këneta, Gjepalaj, Shën Vlashi, Shkallnuri, Rrashbulli, Porto Romano dhe Unaza e Vjetër",- thotë Ademi.

Përgjatë vitit që lamë pas, zonat turistike kanë qenë në qendër të investimeve nga ana e Ujësjellësit për realizimim e projekteve për furnizimin pa ndërprerje të zonave Përroi i Agait-Golem, të Bashkisë Sukth, të Fshatit Hardhishtë, Komuna Gjepalaj, të Komunës Rrashbull, fshatrave Shkallnur- Shën Vlash etj. Pikërisht përgjatë këtyre viteve Ujësjellës-Kanalizime ka  lidhur 8059 kontrata të reja me banorët e këtyre zonave dhe nga investimet kanë përfituar 62 650 familje. Ujësjellës Kanalizime ka investuar gjithashtu në projektet e kanalizimeve në lagjen nr. 1 Currila, në lagjen nr. 5 si edhe në lagjen nr. 13 Plazh. Sipas të dhënave të kësaj ndërmarrjeje, në më pak se tre vite Ujësjellës Kanalizime sh.a. ka bërë të mundur furnizimin me 24 orë ujë pa ndërprerje të rreth 62.000 banorëve si edhe katërfishimin e orarit të furnizimit me ujë, po gjatë kësaj periudhe.

Ujësjellësi ka realizuar ristrukturimin e linjave ekzistuese dhe shtrimin e 141 km tubacione, investime që kapin vlerën e mbi 600 mln lekëve. 
 

Objektivat e UK Durrës për 2013 
– Shërbimi i Furnizimit me ujë
– Shtimi i orarit të furnizimit me ujë
– Zgjerimi dhe sigurimi i një sistemi teknikisht të përshtatshëm
– Zvogëlimi i humbjeve në rrjet
– Rritja e faturimit dhe arkëtimit
– Vendosja e matësave të ujit në gjithë zonën e shërbimit
– Shërbimi me Kanalizime
– Zgjerimi dhe mirëmbajtia e sistemit të kanalizimeve
– Trajtimi i ujërave të ndotur me Impiantin e Ri
– Mbrojtja mjedisore e ujërave të bregdetit turistik të Durrësit

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/