FIER, 10 prill 2013– Forcat e komisariatit numër 4 në Tiranë kapën mëngjesin e sotëm në Frakull të Fierit, të dënuarin Astrit Dervishi, i cili theu lejen e burgut duke u arratisur 8 muaj më parë. 

Që prej gushtit të vitit të kaluar, policia kishte shpallur në kërkim 24-vjeçarin Dervishi, duke i përqëndruar kërkimet në Tiranë, pasi dëshmitarë të shumtë e kishin parë të lutej të premteve në xhami. Por hetimet e policisë nuk rezultuan të suksesshme, ndërkohë që Dervishi ishte larguar drejt Fierit ku ishte fshehur në fshatin Frakull. 

Astrit Dervishi, i cili po vuante dënimin për vjedhje, i dënuar më parë edhe për vepra të tjera penale, u largua pasditen e 17 gushtit 2011 nga shtëpia e motrës së tij në fshatin Shalqizë të Tiranës. Në orën 13:00 të 22 gushtit ai duhej të kthehej në Burgun 325 te “Ali Demi”,  por ai nuk u rikthye duke thyer lejen e burgut . 

Dervishi, ishte arrestuar vitin e shkuar nga policia e komisariatit nr.1, në kryeqytet me akuzën e vjedhjes së banesave në flagrancë. Sipas hetuesve, ai ishte i dyshuar për disa raste vjedhjesh dhe për këtë shkak për të kishte nisur edhe një hetim konkret. Ndërkaq, pas arrestimit të tij dhe hetimit të kryer ndaj tij, prokuroria dërgoi dosjen në gjykatën e Tiranës, ku Dervishi u dënua me 1.5 vite burg për akuzën e vjedhjes. 

Për vuajtjen e dënimit të tij u caktua një burg i sigurisë së ulët, pikërisht burgu 325, në “Ali Demi”. Ky i fundit u caktua për shkak të rrezikshmërisë së ulët shoqërore që paraqiste vepra penale e kryer prej tij.