HOUSTON, 10 prill 2013– Një student 20-vjeçar në Houston ka therrur të paktën 14 persona në konvikte të ndryshme, para se të ndalohej dhe arrestohej nga policia. 

Përmes një komunikate, policia tha se Dylan Quick kishte planifikuar për një kohë të gjatë sulmin në kolegjin e Teksasit dhe se i dyshuari kishte pasur fantazi për therjen dhe vrasjen e njerëzve që nga shkolla fillore.

Quick, i cili është akuzuar për të paktën tri vepra penale, ka plagosur rëndë dy studentë të cilët vazhdojnë të jenë në spital, ndërsa 12 tjerët kanë plagë të lehta.

Kolegji "Lone Star" në Houston, ka mbi 20 mijë studentë dhe ai do të qëndrojë mbyllur gjatë ditës së sotme për arsye sigurie.

Ky sulm është i dyti brenda 3 muajve në të njëjtin konvikt.

Pak javë më parë, 2 studentë mbetën të plagosur nga të shtënat me armë.