KORCE, 10 prill 2013– Gjykata e Korçës do të jap sot masën e sigurisë për të akuzuarin e vdekjes së dy grave në lumin Devoll, para 4 ditësh.
I akuzuari, drejtuesi i zetorit, Gëzim Zyfi u arrestua nën akuzën e mungesës së lejes së drejtimit.
Por sot banorët e fshatit Dodranj janë mbledhur para gjykatës së Korçës për të protestuar.
Ata pretendojnë që Zyfi është i pafajshëm, ndërsa fajësojnë komunën që nuk ka ndërtuar një urë funksionale.
Seanca e parë ndaj Zyfit, do të zhvillohet në një sallë, ku të pranishëm do të jenë rreth 20 veta, ndërsa media nuk lejohet ta ndjekë procesin e dhënies së masës.
Ngjarja ndodhi më 6 prill, teksa 20 persona tentuan të kalojnë lumin Devoll me zetorin e Gëzim Zyfit pasi mungon një urë që lidh fshatrat. Mësohet se këta persona ishin nisur në një mort.
Por gjatë rrugës rimorkio e zetorit ka rënë në një gropë të thellë dhe është përmbysur, duke i marrë jetën 2 grave, përkatësisht Mirela dhe Elena Zylfi, 35 dhe 29 vjeç.
Banorët pretendojnë se kanë qenë ata që i kanë kërkuar drejtuesit të mjetit me ngulm t’i kalojë përmes lumit, pasi donin të merrnin pjesë në një ceremoni mortore.





