Qiramarrësja e Shoqatës së Banimit, Stejsi Mekgill, pohon se fantazma i ndez dhe fikë dritat, përdor pajisjet elektrike, lëviz posterat nëpër mure në shtëpinë e saj në Lafborou të Britanisë. Nëna 29-vjeçare, e cila u vendos në shtëpinë e saj të re dhjetorin e shkuar me partnerin e saj, Karl, dhe vajzën e tyre 18-muajsh të quajtur Çellzi, tha se një media që e kishte angazhuar për ta hulumtuar shtëpinë, ka konfirmuar “energji mashkullore” në shtëpinë e tyre.

Drita u ndez papritur

Hetuesi paranormal, Dejv Vikërs, tha se ai ka ndjerë një fantazmë duke kaluar nëpër trupin e tij në shtëpi, ndërsa ka treguar se si e ka lejuar fantazmën që të komunikojë me banuesen e shtëpisë duke shkruar një porosi në letër. Ai e përshkroi ndjenjën e pranisë së një mashkulli rreth 30 vjeç, emri i të cilit ishte Najxhëll. Mekgill tha: “Ne u kthyem nga dyqani dje dhe ndërsa po shkoja që të marr disa flluska, drita u ndez pa e prekur njeri. Kjo gjë është me të vërtetë tmerruese. Kam vërejtur se diçka ishte aty ndërsa po largohesha. U rrëqetha e tëra. E dija që kam të drejtë. Më pas Karli ndjeu të njëjtën gjë. Më pas mikrovala filloi të ndizet e të fiket vetvetiu ndërsa posterat lëviznin nëpër mure”. Mekgill më pas ka kontaktuar me Vikërsin, i cili që nga ajo kohë ka bërë dy vizita në shtëpinë e saj me kamera me rreze infra të kuqe, matës të frekuencave elektromagnetike dhe me kamera digjitale. “Ai ka konfirmuar se ekziston dikush këtu”, tha Mekgill. “Ne kemi jetuar në një banesë këtu në afërsi. Nuk kemi pasur asnjë problem atje, unë vetëm dua që shoqata e banimit të më gjejë një vend për të jetuar që nuk ka fantazmë në të. Banori i mëparshëm nuk ka përjetuar një gjë të tillë, por disa njerëz janë më të ndjeshëm ndaj fantazmave sesa të tjerët. Unë kam ndier prani paranormale edhe më parë”, shtoi ajo.

Disa vende, më të ftohta se të tjerat

Vikërs ka vizituar dy herë shtëpinë së bashku me Karl Adams nga ekipi për Hetuesi paranormale për t’i vërtetuar pohimet e saj. “Menjëherë pas hyrjes në shtëpi e ndjeva energjinë në fund të korridorit, energjia u prezantua si një mashkull, dhe tërë kohën thoshte jam këtu prapa”, ka thënë Vikërs. “Shumë aktivitete ndodhnin në pjesën e pasme të shtëpisë, kryesisht në dhomën e pasme të gjumit. Duke u ngjitur shkallëve, energjia mashkullore e bëri më shumë të ditur praninë e tij, disa vende ishin më të ftohta sesa të tjerat. Kam komunikuar me një mashkull rreth të tridhjetave, edhe pse mosha mendore e tij ishte shumë më e ulët, ai ishte i vetmuar dhe ishte fshehur nga ana e prindërve të tij kur ishte i vogël. Ata ishin të turpëruar për shkak të paaftësisë së tij mendore. Emrin e kishte Najxhëll. Ai nuk do që të lëndojë askënd. Ka gjasa që të ketë nevojë për hetime të mëtejshme”, tha Vikërs i cili shtoi se gjatë vizitës së dytë ai ka ndjerë që fantazma ka dashur që të komunikojë.