DURRES, 9 prill 2013 – Katër artistë të rinj durrsakë kanë sjellë para artdashësve durrsakë në një ekspozitë të përbashkët disa nga punimet e tyre më të fundit. Ekspozita u hap mbrëmjen e sotme në hollin e pallatit të Kulturës “Aleksandër Mosiu”.
Piktorët Elio Brajramaj, Rezart Tozaj, Edison Tahiri si dhe skulptoria Erisa Bekteshi kanë ekspozuar 12 tablo si dhe disa skulptura, përmes së cilave kanë përcjellë mesazhe të ndryshme tek të pranishmit.
Ajo që të binte në sy në këtë ekspozitë ishte teknika e larmishme e artit konceptual, ngjyrat, abstraksionet e përdorura nga artistët e rinj e mjaft premtues durrsakë.
Të pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite, e cila në vetvete ka si qëllim promovimin e artistëve të rinj të qytetit bregdetar, ishte edhe deputetja e PS-së Klodjana Spahiu si dhe sekretari për rininë dhe emigrantët Erion Veliaj.
Ky i fundit në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se ky nuk është një aktivitet politik, por kjo ekspozitë tregon se ata që janë të mirë në pikturë, bëjnë karrierë edhe në politike.
Me këtë batutë Veliaj iu referua kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili ishte dikur piktor premtues e më pas u shndërrua në politikan. Më tej Veliaj, teksa vlerësoi punimet e artistëve durrsakë, tha se në programin e saj Partia Socialiste është kujdesur për t’i ofruar mbështetjen e duhur talenteve të reja, duke e pasur si prioritet kulturën dhe artin. Në çeljen e kësaj ekspozite kanë qënë të pranishëm shumë të rinj durrsakë, të cilët kanë dhënë vlerësimet më të mira për punimet e ekspozuara.
/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





