Kryetari i KZAZ-së nr.25, Denis Duka në një intervistë për “DurrësLajm” përcaktoi si problematike në orët e para të procesit zgjedhor mirëfunksionimin e pajisjeve të identifikimit biometrik, të cilat në disa raste nisën nga puna pak pas orarit zyrtar të çeljes së qendrave të votimit.

Një tjetër problematikë që deklaroi Duka ishte edhe praninë e personave të pautorizuar pranë qendrave të votimit. Duka shprehet i kënaqur me pjesëmarrjen në votime, e cila deri në momentin kur u zhvillua kjo intervistë ishte në 28%.

“Me këtë pjesëmarrje që ne po shikojmë dhe raportohet jemi të kënaqur që njerëzit kanë dalë të votojnë. Do të thotë që ka një interes nga njerëzit për të votuar.”, thotë ai.

Sa i përket procesit të numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit, kreu i KZAZ 25 deklaron:

“Besoj se numërimi, sipas udhëzimit të KQZ-së, do të numërohen votat e partive. Mbas rezultatit të votave të partive, do rihapen kutitë dhe do të numërohen për të nxjerrë rezultatet e kandidatëve. Besoj që te pjesa e parë do të ketë një numërim të shpejtë dhe nxjerrje rezultati të shpejtë. Pastaj te kandidatët do të shikojmë udhëzimet sepse është një risi.”