TIRANE, 8 prill 2013– Policia e Tiranës njoftoi sot arrestimin e shtetasit, Halit Shahini lindur në Durrës dhe banues në Tiranë, i shpallur në kërkim për vrasje. 51- vjeçari ka plagosur me plumb në kokë, shtetasin Bujar Barçi, i cili, si pasojë e plagëve gjeti vdekjen disa ditë më vonë në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Sipas Policisë së Tiranës, viktima Barçi i ka pasur një shumë parash borxh autorit të ngjarjes, shumë që nuk ia kishte kthyer prej 4 vitesh. Halit Shahini, ish-truproja i një ish-ministri është takuar me borxhliun e tij pranë zonës ku ndodhi ngjarja, për t’i kërkuar që t’i kthente paratë, por në atë kohë ka nisur konflikti dhe Shahini ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar 55-vjeçarin. Më pas është larguar menjëherë me makinë nga vendi i ngjarjes për të ardhur tek arrestimi ditën e sotme.
Halit Shahini ka qenë i dënuar më parë, pasi rrahu për vdekje rojën e një banke në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ngjarje kjo e ndodhur në maj të vitit 2005, pas një grindjeje për vendin e parkingut. Ai u dënua nga Gjykata e Tiranës me një vit e dy muaj burg, me akuzën e vrasjes nga pakujdesia. Sipas vendimit të Gjykatës, më 25 maj 2005, kur Shahini ishte me detyrë truprojë i një prej ministrave të qeverisë së asaj kohe, është arrestuar për vrasje nga pakujdesia. Mëngjesin e asaj dite, Halit Shahini ka parkuar automjetin e tij tip “BMW” buzë trotuarit, përballë një banke të nivelit të dytë. Ky vend parkimi ruhej nga viktima Besnik Pashaj, i cili i është afruar autorit për të mos e lejuar të parkonte. Për këtë arsye ka lindur një konflikt mes tyre dhe autori ka goditur me grusht rojën, i cili ka rënë nga trotuari dhe është përplasur me kokë në asfaltin e rrugës. Si pasojë, Besnik Pashaj është plagosur rëndë dhe është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku pavarësisht ndihmës mjekësore, ka ndërruar jetë mbrëmjen e po asaj dite.





