JAPONI, 8 prill 2013 – Një 80 vjeçar po përgatitet t’i ngjitet Malit Everest, majës më të lartë në botë. Yuichiro Miura synon t’i ngjitet Himalajave për herë të tretë në jetën e tij, në muajin maj.

Yuichiro Miura u ngjit në majën Everest në moshën 70 dhe 75-vjeçare. Ai do të përpiqet përsëri në muajin maj, në moshën 80-vjeçare. Në se ka sukses, ai do të vendosë një tjetër rekord, si njeriu më i moshuar që ngjitet në majën 8 mijë e 848-metra të lartë. Rekordi i ri, megjithatë nuk është ajo që e motivon atë. Në fakt ai është kurioz të dijë se si do t’i përballojë në këtë moshë temperaturat nën zero, ajrin e rralluar dhe nivelet ulëta të oksigjenit në Himalaje.

Miura beson se këto kushte, do t’i shtojnë 70 vjet  moshës fizike të trupit të tij, kur të arrijë në majë të malit. Vajza e tij, Emili Miura, i tha Zërit të Amerikës se në këtë mënyrë, i ati do të ndjehet sikur të ishte 150 vjeç.

“Asnjë njeri nuk ka jetuar ndonjëherë kaq gjatë dhe ai është kurioz të dijë se si do të ishte po të jetoje kaq shumë. Babai im do të dijë se cili është kufiri, cilat janë mundësitë dhe potenciali i njerëzve.”

Ngjitja e Miurës është e frikshme për arsye të tjera, përveç moshës së tij. Ai ka bërë tre operacione në zemër vitet e fundit dhe ka thyer kockën e legenit dhe këmbën në një aksident me ski në vitin 2009. Megjithë moshën dhe problemet shëndetësore, vajza e tij Emili, thotë se ajo dhe familja e mbështesin plotësisht idenë e tij për t’u ngjitur në Everest.

Yuichiro Miura është duke u stërvitur dhe vazhdon ngjitjet në Himalaje, deri në 5 mijë e 500 metra lartësi.