TIRANË, 8 prill 2013 – Ministria e Mbrojtjes njofton se 11 prill 2013 në mjediset e Qendrës së Kulturës, Medies dhe Botimeve të Mbrojtjes do të organizohet veprimtaria “Banda muzikore “Vatra”, bërthama e lindjes së orkestrës frymore kombëtare të forcave të armatosura”.

Fillimisht do të hapet një ekspozitë me fotografi të bandës muzikore “Vatra” dhe bandave muzikore në Shqipëri.

Pastaj do të vazhdohet me akademinë përkujtimore, ku do të ketë përshëndetje nga “Vatra”, si dhe familja e krijuesit dhe drejtuesit të bandës muzikore, Tomas Nasi.

Do të mbahen kumtesat: “Atdhetarizmin e tyre e shprehën me muzikë” nga Prof. Ethim Dodona; “Flamuri i bandës “Vatra””nga Frederik Stamati; “Qesen dhe shpirtin për shpëtimin e Shqipërisë” nga Koço Gjipali; “Uniforma e një luftëtari të trupit vullnetar” nga Ariola Prifti.

Në fund do të jepet një koncert i orkestrës frymore kombëtare të forcave të armatosura.

/th. m. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/