TIRANË, 8 prill 2013 – Në Francë numri shqiptarëve me qëndrim të paligjshëm është në rritje të konsiderueshme që prej verës së vitit 2012, u shpreh e shqetësuar mu në “kalanë” e policisë së Nokës ambasadorja franceze Moro.
Ministria e Brendshme e Shqipërisë njofton se kryepolici Flamur Noka dhe e plotfuqishmja e “Marianës” në Shqipëri Kristinë (Christine) Moro nënshkruan më 8 prill 2013 Protokollin e Zbatimit të Marrëveshjes së Ripranimit mes dy vendeve, në funksion të parandalimit dhe luftës kundër emigracionit të paligjshëm.
Në fjalën e tij ministri Noka u shpreh se nënshkrimi i Protokollit me Republikën e Francës është një tjetër provë e angazhimit të Qeverisë shqiptare, e cila tregon qartë gatishmërinë e vendeve tona në këtë kuadër, duke garantuar kthimin e çdo personi që do të abuzojë me të drejtën e hyrjes dhe qëndrimin në 2 vendet përkatëse, si për shtetasit tanë ashtu dhe atyre të vendeve të treta.
Sipas ambasadores Moro, “në Francë, fatkeqësisht, numri i shtetasve shqiptarë me qëndrim të paligjshëm është në rritje të konsiderueshme që prej verës së vitit 2012”.
Qeveria shqiptare pas nënshkrimit të Marrëveshjes së ripranimit me BE-në, në kuadër bilateral ka nënshkruar Protokolle zbatimi me 13 vende të BE-së, që përfshihen në hapësirën Shengen.
/th. m. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





