DURRES, 8 prill 2013 – Deputeti dhe njëherazi kreu i degës së Partisë Demokratike të Durrësit, Igli Cara në një intervistë për “Standard” analizon numrat dhe votat që forca politike që ai përfaqëson do të arrijë në këtë qytetet në zgjedhjet e 23 qershorit. I bazuar kryesisht në punën dhe atmosferën në qytetin bregdetar të Durrësit, shtuar edhe energjinë e të rinjve Cara shprehet se në këtë qark, PD-ja do të ruajë numrat e zgjedhjeve të shkuara, duke ruajtur kështu edhe numrin e mandateve aktuale në Parlament.

“Zgjedhjet e 23 qershorit, sjellin një përballje natyrale të së djathtës  me të majtën dhe duke iu referuar 2009 , koalicioni i djathtë në Durrës ishte rreth 7 mijë vota para së majtës. Ne jemi të sigurt që do të ruajmë numrat, pra PD 7 deputetë dhe e majta (5+1). Besimi ynë për fitoren e PD në qarkun e Durrësit e përforcon angazhimi dhe energjia që të rinjtë sjellin çdo ditë në strukturat tona, në çdo lagje dhe zonë të Durrësit”,- shprehet deputeti demokrat.

Gjithashtu kryetari i PD-së së Durrësit analizon këtë mandat katër vjeçar, ndërsa pohon se sigurisht që demokratët do të donin të kishin bërë më shumë, por jo gjithçka varet nga ata. Në këtë pikë ligjvënësi përmend krizën në Europë, por edhe opozitën shqiptare e cila nuk ka luajtur rolin e saj. Ndërsa për koalicionin më të fundit mes LSI-së dhe PS-së, zoti Cara shprehet se ai ka për kumbarë ngjalat e Lalëzit, shtuar këtu edhe hipokrizinë dhe përfitimet personale, pa menduar për njerëzit.

Si e konsideroni largimin e LSI-së nga koalicioni qeverisës, vetëm dy muaj përpara zgjedhjeve?

Qëndrimi apo largimi LSI-së është çështje e vendimarrjes së lidershipit të saj dhe nën këtë këndvështrim nuk ka vend për komente apo gjykim, politika në fund të fundit është pragmatiste, për më tepër ka pak vend për atë çka në jetën e përditshme konsiderohet moral apo në biznes etikë. Si e kanë konsideruar njerëzit e thjeshtë dhe qytetarët e këtij vendi, të cilët i takojmë çdo ditë apo që komunikojmë çdo ditë në rrjetet sociale, ndoshta do ishte pyetja më e saktë?! Për të qenë i sinqertë me ju dhe me lexuesit e gazetës suaj, këto ditë shoh që në strukturat e Partisë Demokratike të Durrësit ka një lloj optimizmi (thënë më shqip shumë prej demokratëve thonë bënë mirë që ikën, se na kishin ulur kokën), shumë të tjerë mendojnë që nga pikëpamja politike lëvizja e fundit e Metës dhe koalicioni Meta-Rama në historinë 22-vjeçare të demokracisë shqiptare është më e pamoralshmja. Socialistët që kanë tetë vjet që presin Ramën të fitojë janë të shokuar sepse inati dhe urrejtja midis socialistëve dhe lsi-stëve ka qenë shumë e fortë në këto 4 vjet; shumë të tjerë ndjehen të përdorur. Tashmë të majtët dhe socialistët e vërtetë e kanë kuptuar që përfaqësuesit e tyre politikë nuk kanë asnjë lidhje me ideologjinë e majtë, ata kanë kuptuar që politika e majtë ka kumbarë që bashkë me ngjalat në Lalz dhe deri tek hipokrizitë e thirrjeve publike me ftesa për koalicion, janë duke bërë llogari e vetëm llogaritë e tyre dhe askush nuk është duke menduar për njerëzit për të cilët përlotet Rama.

Largimi i LSI-së dhe votimi të enjten në Kuvend i dekreteve të Presidentit për 4 ministrat e rinj dhe zv. Kryeministrin rikonfirmoi mazhorancën tonë. Ministrat e rinj jo vetëm u votuan me 72 vota, por LSI abstenoi se ndjehet në hall e në borxh të madh ndaj PD-së dhe Kryeministrit Berisha, që kurrë në asnjë moment nuk i dha shansin që të gjenin një pakënaqësi apo sebep për të justifikuar largimin, për të mos thënë që ne rrezikuam qeverisjen me 21 Janar, ku askush nuk mund të mohojë që demonstrata shkakun e mori nga video Meta-Prifti dhe socialistët kërkonin largimin e qeverisë për shkak të korrupsionit që sipas tyre video provonte. Largimi i LSI-së krijoi frymëmarrjen e duhur brenda nesh për të vlerësuar qeverisjen tonë, kapacitetet brenda PD-së dhe për t’i dhënë vendit e publikut ministra shumë dinjitozë, flas këtu për z. Florion Mima, një ekspert i shkëlqyer i ekonomisë, një njeri që përfaqëson të djathtën e vërtetë të këtij vendi për shkak dhe të mbiemrit që mban, por dhe një përfaqësues i tiranasve autoktonë. Për të vazhduar më mjekun e shkëlqyer, përfaqësues nga më të mirët të shoqërisë civile doktor Halim Kosovën; shkrimtarin Visar Zhiti, urtësia e të cilit vjen jo vetëm nga dituria, por dhe nga vuajtjet, jam i kënaqur që të persekutuarit politikë të regjimit komunist kanë një përfaqësues kaq dinjitoz në qeverinë tonë.

Në opinionin tuaj sa mendoni se do ndikojë në rezultatet e 23 qershorit për PD-në, largimi i LSI-së?

PD me aleatët e saj erdhi në pushtet në 2005 me një program shumë ambicioz dhe në harkun e tetë viteve me thënë të drejtën kemi bërë shumë, po a do të kishim dashur të bënim më shumë dhe më mirë?! Sigurisht që po! Qeverisja e dytë ka pasur një problematikë më komplekse jo vetëm për shkak të krizës ekonomike, por dhe të formulës së qeverisjes në koalicion të gjerë dhe mënyrës si Edi Rama bëri opozitë: një kohë duke qëndruar në rrugë, një kohë tjetër duke futur njerëzit e tij në greve urie, për të mbërritur tek bllokimi i tre ligjeve për statusin e vendit kandidat. Përtej gjithë problematikës, qeveria e Partisë Demokratike realizoi disa nga projektet e saj më strategjike dhe vizionare, bëri Shqipërinë pjesë të NATO-s, qytetarët shqiptarë lëvizin të lirë në Europë, përballuam me sukses krizën ekonomike duke mos çuar në recension ekonominë, ndërtuam 10 mijë km rrugë, ndërmorëm projekte shumë dinjitoze në lidhje me energjinë, i dhamë një shtysë të madhe zhvillimit të turizmit, ndërtuan shumë shkolla etj etj, arritjet janë shumë. Ajo ç’ka është më e rëndësishmja është besimi që shqiptarët e veçanërisht të rinjtë kanë tek PD-ja dhe lidershipi i saj. Aksioni ynë politik ka hyrë në një fazë të re, sfida jonë më e rëndësishme për mandatin e tretë është punësimi. Gjithë fokusi i lidershipit të PD-së është drejtuar në hartimin e politikave dhe në ndërtimin e strategjive afatshkurtra dhe afatmesme që i japin frymëmarrje ekonomisë për më shumë vende pune.

Vetëm javët e fundit në Kuvend kanë kaluar disa nisma që lehtësojnë barrën fiskale të biznesit, krijojnë më shumë suport për punësimin e të rinjve dhe i vijnë në ndihmë punonjësve me paga të ulëta. Gjithashtu, Kryeministri Berisha, çdo ditë takohet dhe diskuton me grupe dhe komunitete të ndryshme të biznesit, me synimin e qartë të gjejmë rrugët e rritjes dhe fuqizimit të tyre. Projekti ynë ambicioz është që Shqipëria në 4 vitet e ardhshme të bëhet vend i zhvilluar, ne jemi të sigurt që përfaqësojnë alternativën më bindëse në këtë vend, alternativën që punon çdo ditë për stabilitetin dhe prosperitetin e vendit, mes nesh dhe midis nesh dhe shqiptarëve më i rëndësishëm është qytetari dhe jo kumbari, prandaj ne jemi dhe mbetemi ndryshimi në këtë vend.

Për t’iu kthyer pyetjes tuaj, si deputet i qarkut të Durrësit dhe si kryetar i PD-së në Durrës, dëshiroj t’i referohem dhe numrave meqenëse këto ditë flitet shumë për to. Zgjedhjet e 23 qershorit, sjellin një përballje natyrale të së djathtës  me të majtën dhe duke iu referuar 2009 , koalicioni i djathtë në Durrës ishte rreth 7 mijë vota para së majtës. Ne jemi të sigurt që do të ruajmë numrat, pra PD 7 deputetë dhe e majta (5+1). Besimi ynë për fitoren e PD në qarkun e Durrësit e përforcon angazhimi dhe energjia që të rinjtë sjellin çdo ditë në strukturat tona, në çdo lagje dhe zonë të Durrësit.

/gazeta "Standard"/