DURRES, 8 prill 2013 – Kompania CEZ Shpërndarje në Durrës ka nisur një aksion për ndërprerjen e energjisë elektrike për të gjithë ata konsumatorë që nuk kanë paguar faturat në rrethin e Durrësit. Aksioni ditën e sotme është përqëndruar në Rromanat të Shijakut.

Prej disa disa ditësh, ekipe të kësaj kompanie kanë bërë verifikimet e duhura  në terren, ndërsa vetëm ditën e sotme kanë nisur punën për të shkëputur energjinë për ata individë që kapen me shkelje apo kanë detyrime të papaguara. Drejtues të CEZ Shpërndarje në Durrës, bëjnë me dije  se përgjatë ditës së sotme në Rromanat janë ndërprerë 90 lidhje të paligjshme, ndërsa energjia është shkëputur edhe për 50 abonentë të cilët nuk e paguanin detyrimin prej disa vitesh.

Sipas drejtuesve të CEZ, debia pikërisht në këtë zonë arrin në 2.8 milion lekë të reja, ndërsa niveli i vjedhjeve, thënë ndryshe humbja në rrjet, varion nga 10%  deri në 25% në muaj, duke i sjellë dëme të mëdha financiare kompanisë. Nga ana e ekipeve të punës në terren bëhet me dije se abonentët janë njoftuar se nëse do të konstatohen shkelje të përsëritura, çështja do t’i kalojë prokurorisë së rrethit për ndjekje penale dhe nëse borxhi ndaj CEZ Shpërndarje vazhdon të mos paguhet, atëherë rasti do t’i paraqitet  gjykatës për lëshimin e urdhrit përmbarimor.  

Zonat më problematike përsa i përket debitorëve të energjisë janë ato rurale apo informale dhe specifikisht Rrashbulli, Katundi i Ri, Spitalla, Shkozeti, Plazhi, ish-Këneta, etj, zona në të të cilat po përqëndrohet aksioni i grupeve të punës përgjatë ditëve në vijim.

/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/