BRITANI, 8 prill 2013- Ndërron jetë në moshën 87-vjeçare ish-kryministrja e Britanisë së Madhe Margaret Thatcher.

Lajmi bëhet i ditur nga zëdhënësi i saj i cili ka theksuar se “Zonja e hekurt” e Britanisë ka ndërruar jetë si pasojë e një tromboze.

Kryeministrja e vetme femër në historinë e Britanisë, Thatcher udhëhoqi qeverinë e Londrës midis viteve 1979-1990, kur drejtonte edhe Partinë Konservatore.

Ajo fitoi nofkën e “Zonjës së Hekurt” për ashpërsinë e saj personale dhe politike, për reformat që udhëhoqi dhe mënyrën se si përballoi disa sfida, midis të cilave edhe luftën e vitit 1982 me Argjentinën për sovranitetin e ishujve Falkland (Malvines në spanjisht).

Thatcher u tërhoq nga jeta publike pasi pësoi një infarkt në vitin 2002 dhe që prej atëherë ka vuajtur nga probleme të rënda kardiake, me disa goditje të tjera në zemër.

Si rrjedhojë e problemeve shëndetësore, Thatcher e pati të pamundur që të ishte pjesëmarrëse në ceremoninë e organizuar për 85-vjetorin e saj të lindjes, në tetor 2010.