TIRANE, 8 prill 2013– Partia Socialiste propozoi sot një projekt-rezolutë alternative për zgjidhjen e çështjes çame.

Kreu i PS-së Edi Rama theksoi në një konferencë për shtyp se adresimi i çështjes çame duhet bërë denjësisht në mënyrë që ajo të marrë zgjidhjen që i takon.

“Ne kemi një projekt rezolutë alternative për adresimin e asaj që e quajmë çështje çame dhe nuk mund të mbetet një çështje e paadresuar.  E kemi marrë përsipër ta adresojmë në program, ka një rrugë për ta adresuar, ku forcat politike të gjejnë paqen e plotë dhe ndërveprimi mes tyre. Duke u mbështetur në parimet bazë që udhëheqin vizionin tonë për një Shqipëri evropiane, normat e së drejtës ndërkombëtare, parandalimin e konflikteve, duke konsideruar të paçmuar mbështetjen e Greqisë në proceset e integrimit, marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, dhe bashkëpunimet mes nesh, duke njohur rëndësinë e konsolidimit të mëtejshëm, duke konsideruar çështjen çame si të patrajtuar në kuadër të çështjes së shqiptarëve në Ballkan” tha Rama

Ai gjithashtu theksoi se Këshilli i Ministrave duhet ta përfshijë çështjen çame si një çështje politike në marrëdhëniet diplomatike me Greqinë dhe të raportojë dy herë në vit për ecurinë e saj.

“Në mbështetje të traktatit të fqinjësisë së mirë, ne përfaqësuesit e popullit në Kuvend e konsiderojmë çështjen çame një çështje politike, që duhet adresuar në përputhje me normat e së drejtës, i kërkojmë Kryeministrit ta përfshijë si çështje politike në marrëdhëniet diplomatike me Greqinë dhe të raportojë dy herë në vit për ecurinë e kësaj çështje.   Shpresojmë që me këtë draft të kemi vënë një bazë të arsyeshme të gjitha forcat politike, te gjejnë të kjo kornizë arsyet për ta nxjerrë këtë çështje nga terri i konfliktit dhe për ta adresuar me dinjitet dhe mënyrë evropiane mes interesash evropianë” tha Rama.

Sipas kryesocialistit Rama, është momenti kur duhet ti jepet fund nga njëra anë një heshtjeje hipokrite dhe nga ana tjetër çdo lloj qasjeje ndaj kësaj çështjeje në vetvete, apo ndaj çdo elementi të çështjes së madhe të ardhmërisë së shqiptarëve në rajon mbi bazën e nacionalizmit primitiv të gjuhës së vjetër të urrejtjes, të frymës së një mllefi që për PS i takon së shkuarës e duhet të mbetet atje.

“Ajo që ndodhi në Komisionin e Jashtëm, kur dy forca politike që përfaqësojnë dy komunitete qytetarësh shqiptarë që jetojnë në të njëjtin truall, ndajnë të njëjtat halle e probleme e të njëjtën perspektivë evropianë për atdheun e përbashkët pavarësisht se kanë prejardhje të ndryshme, probleme të mëvetësishme, ishte dicka që ne na nxit në reflektim të shpejtë dhe të thellë e solid” tha Rama.