SHBA, 7 prill 2013 – Një nënë kineze ka blerë një banesë 6.5 milionë dollarë në Manhatan, SHBA, për fëmijën e saj të vogël. Përfaqësuesi i “Sotheby’s International”, një firmë e specializuar për shitjen e pronave më prestigjioze në Nju Jork, tha se, “gruaja e paidentifikuar e ka blerë banesën që vajza e saj ta ketë në dispozicion kur ajo të bëhet studente.

“Nëna e vajzës më tha se e bija do të studiojë në Universitetin Columbia, apo në Universitetin e Nju-Jorkut, apo mbase në Universitetin e Harvardit dhe asaj i duhet të jetë në qendër të qytetit, prandaj ajo ishte e interesuar veçanërisht për këtë banesë”,- thotë përfaqësuesi i kompanisë së ankandeve.

Kur ai e kishte pyetur gruan se sa vjeç ishte vajza e saj ajo ishte përgjigjur: “Sa ka mbushur dy vjeç”.

Apartamenti luksoz ndodhet në kullën “One57”, një grataçelë e qelqtë me 90 kate, në rrugën e 57-të, ndërmjet avenysë së Gjashtë dhe avenysë së Shtatë dhe me pamje nga Parku Qendror.

Ndërtesa gjigante, ndërtimi i të cilës ende nuk ka përfunduar, është dizenjuar nga një arkitekt i cili ka fituar çmimin prestigjioz “Pritzker”. Edhe një miliarder tjetër kinez, Silas KF Chou, nga Hong-Kongu, gjithashtu ka blerë një banesë të shtrenjtë, 50 milionë dollarëshe në të njëjtën godinë.