DURRES, 7 prill 2013 – Punimet që po kryhen përgjatë aksit rrugor Ura e Dajlanit-Plepa, për shtrimin e rrjetit të kanalizimeve, e kanë lënë këtë segment rrugor në errësirë.

Kushdo që udhëton pas orës 19.00 në këtë aks konstaton se në rreth 70 përqind të gjatësisë së tij, mungon ndriçimi.

Pjesa më e madhe e dritave të shtyllave të ndriçimit të vendosura në trotuare qëndrojnë të fikura, ndërkohë që po ashtu janë edhe simotrat e tyre të pozicionuara në pjesën ndarëse të dy kaheve të kësaj rruge.

Kryerja e punimeve në këtë aks duket se është arsyeja kryesore e ndërprerjes së energjisë tek shtyllat e ndriçimit, por duke pasur parasysh se zona turistike frekuentohet jo vetëm nga qytetarët durrsakë, por edhe nga qytetarët nga Tirana dhe rrethet, imazhi që ajo ofron lë shumë për të dëshiruar.

Si të mos mjaftonin punimet që vazhdojnë prej mëse një viti dhe kanë shkaktuar anomali të shumta në trafik, sidomos gjatë fundjavave, kur zona e plazhit vizitohet edhe nga shumë qytetarë nga Tirana apo shtetas kosovarë,  mungesa e ndriçimit është problem më vete.

Banorët e kësaj lagjeje ankohen pasi mungesa e ndriçimit ua vështirëson lëvizjen gjatë orëve të natës. Sikur të mos ishin dritat e reklamave të bizneseve që operojnë përgjatë këtij aksi, rruga rrezikonte të ishte në errësirë të plotë. Shume prej banoreve deklarojne se fale ndryshimit te ores levizin nje ore me teper neper rruge, ne te kundert do ishin te detyruar te mbylleshin qe heret ne shtepi.

Nga ana tjeter bizneset e vogla qe ushtrojne aktivitetin pergjate ketij aksi deklarojne se xhiroja ka rende ndjeshem dhe detyrohen ta lene me heret punen, pasi per shkak te erresires nuk ka me kliente. 

/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/