TIRANË, 7 prill 2013 – Fryma e Re Demokratike shprehu sot shqetësimin për gjendjen aktuale të krijuar nga hapja e portave të hidrocentralit të Fierzës, të cilat mund të sjellin një përkeqësim të situatës në zonat e përmbytura, por edhe shtim të hartës së përmbytjeve në fshatrat Kuç e Vukatanë të Shkodrës. 

Duke e cilësuar situatën e krijuar tepër kritike, FRD shpreh përkrahjen për familjet që janë prekur nga këto përmbytje dhe të tjera që mund të përmbyten prej hapjes së vazhdueshme të portave të hidrocentraleve. "Ne si forcë politike do të jemi afër familjeve të përmbytura që çdo vit e më tepër po preken nga situata të tilla dhe do të japim kontributin tonë maksimal për zgjidhjen përfundimtare të kësaj situate", thuhet në një deklaratë për shtyp të FRD-së.