Gjatë vizitës së saj në Shijak, ambasadorja amerikane, Yuri Kim është takuar me kryetarin e KZAZ nr.25, Denis Duka. “DurrësLajm” ndoqi nga afër vizitën e ambasadores Kim në dy qendrat e votimit, në gjimnazin “16 shtatori” dhe pranë KZAZ-së nr.25.

Diplomatja amerikane e ka pyetur kryetarin Duka mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në të gjitha qendrat e votimit të Bashkisë Shijak.

Ambasadorja u interesua përsa i përket numrit të numëruesve, kur do të nisë procesi i numërimit si dhe kur pritet të dalë rezultati përfundimtar.

Kreu i KZAZ-së, Denis Duka i tha ambasadores se deri më tani i gjithë procesi ka ecur mirë përveç disa problematikave të vogla që lidhen sidomos me funksionimin e pajisjes së identifikimit biometrik.

Ai theksoi se procesi i kësaj here ka risi por shpreson që së bashku me gjithë stafin e KZAZ-së t’ia dalin më së miri. Duka deklaroi se kishte komunikuar me shefin e komisariatit të Policisë Shijak për të evituar që gjatë procesit të numërimit, ambientet të mbingarkohen me vëzhgues të partive politike, siç ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara.

Ai u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen e deri tanishme në votime dhe deklaroi se shpreson që rezultati për partitë politike të përfundojë brenda një kohe të shkurtër për të vijuar më pas edhe me procesin e numërimit për kandidatët.