TIRANE, 7 prill 2013– Kryeministri Sali Berisha ka komentua nëpërmjet rrjetit social Facebook, pjesmarrjen e tij në Forumin Ekonomik Botëror, me temë “Dialogu strategjik mbi të ardhmen e Kaukazit Jugor dhe Azisë Qendrore”, në Baku të Azerbajxhanit. 

Kreu i ekzekutivit bën të ditur se “atje do të diskutojmë mbi vazhdimësinë e zhvillimit ekonomik me lidere të tjerë rajonal”.

Por Kryeministri shprehet se më e rëndësishmja është takimi edhe me Presidentin dhe Kryeministrin e Azerbajxhanit për të garantuar se TAP është mënyra më e mirë për transportin e gazit drejt Europës. 

"TAP përkthehet në miliarda dollarë investime në Shqipëri dhe 20,000 vende pune të reja që do të rezultojnë nga ky investim. TAP bën që i gjithë vendi të ketë furnizim me gaz të lirë, duke ulur kostot e gatimit dhe ngrohjes për çdo familje, dhe duke ulur kostot edhe për biznesin”, komenton shefi i qeverisë shqiptare. 

Në përfundim, Berisha nënvizon se "projekte të tilla, janë zgjidhjet reale dhe konkrete që na nevojiten për më shumë punësim dhe një Shqipëri të zhvilluar".