DURRES, 7 prill 2013 – Prangosen 6 shtetas dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë. Operacioni policor “Bovilla”, i cili është përmbyllur mëngjesin e sotëm ka vënë pas hekurave 6 të rinj të akuzuar për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike.
Sipas burimeve policore të komisariatit të policisë së Durrësit, grupi i të rinjve ushtronte aktivitetin e tij të paligjshëm në tre qarqet më të mëdha të vendit, Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Mësohet se Seksioni kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës kishte kohë që i mbante nën vëzhgim të rinjtë, pasi ishte në dijeni të aktivitetit të tyre, dhe po punonte për sigurimin e provave materiale për ndalimin e të akuzuarve për shpërndarje droge.
Mëngjesin e sotëm janë arrestuar në flagrancë 6 shtetas; Klaudi dhe Endri Myftari, përkatësisht 23 dhe 21 vjeç (vëllezër njëri me tjetrin) si dhe kushëriri i tyre Izet Idrizi, 24 vjeç. Të tre të rinjtë janë banorë të qytetit të Durrësit.
Ndërkohë në pranga kanë përfunduar edhe Gylbert Kullolli, 24 vjeç, nga Elbasani, i dënuar më parë për veprën penale të plagosjes; si dhe Naim Tafa, 28 vjeç dhe Dashamir Ramazani, 31 vjeç, nga Kamza Tiranë.
Sipas policisë “lënda narkotike sigurohej prej shtetasve Naim Tufa dhe Dashamir Ramazani në fshatrat e malësisë së Tiranës dhe blihej nga 4 shtetasit e tjerë të arrestuar për t’u ofruar për shitje në Tiranë, Elbasan e Durrës”.
Të ndaluarit
1. Klaudi Myftari, 23 vjeç, banues në Durrës
2. Vëllai i tij, Endri Myftari, 21 vjeç, banues në Durrës
3. Izet Idrizi (djali i tezes së vëllezërve Myftari), 24 vjeç, banues në Durrës
4. Gylbert Kullolli, 24 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar më parë për veprën penale të plagosjes
5. Naim Tafa, 28 vjeç, banues në Kodër Kamëz Tiranë
6. Dashamir Ramazani, 31 vjeç, banues në Kamëz Tiranë
Në momentin e kapjes shtetasit Klaudi Myftari i janë sekuestruar në banesë 2 qese farmacie me kanabis sativa, ndërsa shtetasve Izet Idrizi dhe Endri Myftari, iu është gjetur në automjetin me të cilin po udhëtonin 1 kg e 428 gr masë thatë bimore e llojit kanabis sativa.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 automjete, Opel Tigra me targë AA974AN dhe një makinë e tipit Peugeot me targa të huaja HDQA1905, si dhe 10 aparate telefonikë celularë së bashku me kartat SIM.
Ndërkohë policia po vijon punën për ndalimin edhe të personave të tjerë që kanë lidhje me grupin e shpërndarësve të drogës.
/e.a. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





