DURRES, 7 prill 2013 – Është përkujtuar sot  në Durrës 74 vjetori i rezistencës ndaj pushtimit Italian. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor e qëndror, veteranë, përfaqësues të forcave politike, përfaqësues të besimeve fetare dhe shumë qytetarë durrsakë, të cilët kanë bërë homazhe pranë bustit të Mujo Ulqinakut, ku kanë vendosur edhe kurora me lule.

Kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili hapi ceremoninë përkujtimore theksoi se liria u arrit me gjakun dhe sakrificat e atyre që na rreshtuan në atë kohë në aleancën antifashiste që e kujtojmë me respekt të thellë sot pas 74 vjetësh.

“Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, 74 vite më parë,- tha Dako,- por patriotët shqiptarë luftuan si mundën, sa mundën dhe ku mundën për liri dhe dinjitet të vendit. Nder dhe mirënjohje të thellë për ta”.

Kryebashkiaku theksoi më tej se çdo qytetar i Durrësit duhet të ndjehet krenar, sepse qyteti u kthye në një front të bashkuar duke u shndërruar në këtë mënyrë në një simbol të qendresës kombetare ndaj pushtimit fashist dhe Lufta Antifashiste.

Në monumentin e Heroit të Popullit Mujo Ulqinaku janë skalitur emrat e të rënëve që me gjakun e derdhur u bënë luftëtarët dhe dëshmorët e parë të Rezistences Antifashiste në Europë.

Mujo Ulqinaku dhe të gjithë patriotët e tjerë nga Durrësi, por edhe nga qytete të tjera ishin të parët që e pritën me pushkë në dorë pushtuesin Italian mëngjesin e 7 prillit. Megjithëse shumë të paktë në numër në krahasim me ushtrinë italiane që po zbarkonte në port ata u përcollën pushtuesve mesazhin e parë se Shqipëria nuk do t’i përulej pushtimit.

Nga të pranishmit në ceremoninë e sotme u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri jetën e tyre për lirinë e vendit. 

Të rënët e 7 prillit të 1939

Mujo Ulqinaku, Hamit Dollani, Haxhi Tabaku, Hysen Koçi, Isak Metalia, Ramazajn Velia, Ismail Reçi, Ibrahim Osmani, Hamit Vashko. 

 /e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/