CERRIK, 6 prill 2013 – Kreu i PDIU Shpëtim Idrizi ka prezantuar mbrëmjen e së shtunës kandidatin për deputet në qarkun e Elbasanit, biznesmenin Aqif Rakipi. Nga qyteti i Cërrikut, Idrizi duke u ndalur tek rezoluta e çështjes çame, deklaroi se kjo rezolutë shërben për të mbrojtur interesat e shqiptarëve. 

“Ne kemi bërë një rezolutë në parlament dhe jemi të bindur se ia kemi adresuar këtë rezolutë parlamentit të Shqiptarëve dhe jo parlamentit të ndonjë shteti tjetër. Ne kemi kërkuar rezolutën e shqiptarëve në Çamëri si një kontribut në politikën shqiptare si një kontribut që dy vendet tona të kenë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Ne kemi kërkuar të riaktivizohet traktati i miqësisë, sepse sot ky traktat është i abdetuar vetëm për të drejtat e Greqisë, por edhe shqiptarët e Çamërisë do të kenë varrezat e baballarëve tanë, gjithashtu është e drejta jonë bazuar edhe në këtë traktat miqësie se ku ka shqiptarë të ketë edhe shkolla shqipe, si në Çamëri e kudo ku ka shqiptarë. Ne kërkojmë heqjen e ligjit të luftës, ky është kontributi ynë si komunitet dhe si parti.”- deklaroi Idrizi. 

Lidhur me debatin në Komisionin e Jashtëm me kreun e PBDNJ-së, Idrizi tha: “Nuk dua që ti jap përgjigje Vangjel Dules sepse ai si një kone që kafshonte nga larg duhet të shkonte në Korçë të na jepte përgjigje, sepse aty në parlament zgjodhi rrugën që të ikte”.