TURQI, 6 prill 2013 – Popullariteti i tij në Turqi arriti të bëhet shumë i madh sa hap e mbyll sytë. Mjaftoi paraqitja në një prej serialeve turke atje që Nik Xhelilaj të bëhet yll i ekranit, saqë edhe paparacët ta ndjekin e të mos e lënë rehat. I zbuluan të dashurën e cila ishte me profesion aktore gjithashtu dhe luante në të njëjtin serial me Nikun, ndërsa tashmë tregojnë se shqiptari i famshëm do të fillojë xhirimet e serialit të dytë.
“Kayp Sehir” ishte seriali në të cilin Niku aktronte në rolin e Kadirit, mirëpo ky projekt filmik ishte jetëshkurtër, pasi mbaroi në episodin e 26-të, për shkak të shikueshmërisë së dobët. Gjithsesi, vëmendja e mediave mbi Nikun nuk mungoi. Atij i kanë ofruar një rol të ri në një tjetër serial.
Për një rritje akoma më të madhe të Nikut, producenti është përkujdesur që t’i ofrojë atij rolin kryesor, ndërsa si partnere t’i bëjë njërën prej aktoreve më të famshme turke. Fahriye Evcen, e lindur në Solingen të Gjermanisë në vitin 1986. Ajo është një nga aktoret më të njohura me origjinë gjermano-turke.





