ELBASAN, 6 prill 2013 – Partia Socialiste prezantoi sot në qytetin e Elbasanit, programin e saj “Për një Rilindje Shqiptare”. Kryesocialisti Edi Rama siguroi mbështetësit e PS-së se aleanca parazgjedhore me LSI-në do të bëjë të mundur mbrojtjen e votës më 23 qershor. Lideri i opozitës tha se koalicioni opozitar do të forcohet edhe më tej, ndërsa nënvizoi se zotimet dhe parimet e programit të PS-së nuk do të lëvizin asnjë presje. 

“Sot jemi koalicion më i madh, bashkimi ynë me LSI ka ndryshuar vetëm një gjë. Sot vota e fitores sonë është më e mbrojtur nga vjedhja, ndërsa Saliu dhe familja e tij janë më të vetmuar në humbjen e tyre. Por koalicioni ynë do të jetë më i madh deri ditën kur do të regjistrohet për të hyrë në zgjedhje.”- u shpreh Rama. 

Shefi i opozitës akuzoi kryeministrin Berisha për keqqeverisje dhe kapje të institucioneve të shtetit, ndërsa shprehu shqetësim për rritjen e kriminalitetit në vend, duke përmendur ngjarjet tragjike të 24 orëve të fundit, të cilat regjistrojnë 5 viktima, të gjitha femra. 

“Në harkun e më pak se 24 orëve, 5 gra kanë humbur jetën. Kjo është Shqipëria që ne kemi, Shqipëria qe ne duam të rilindim. Kjo është Shqipëria të cilën në vitin 2005 Saliu dhe PD e morën duke i treguar duart e pastra, tek të cilat fatkeqësisht pati shumë njerëz që besuan, ashtu sikundër marrja e Shqipërisë nga ato duar u bë e mundur, sepse duart tona nuk ishin të bashkuara. Qysh atëherë kur Shqipëria regjistronte 8250 krime në vit, krimi ka marrë përmasa alarmante. 20688 krime vitin e shkuar.”- u shpreh Rama. 

Sipas kryesocialistit, “policia e shtetit është një trupë e çoroditur e cila mbron qeverinë nga populli ndërsa kupola e Ministrisë së Brendshme funksionin si pikë ndërlidhjeje me krimin.”