TIRANE, 6 prill 2013 – Audienca shqiptare u trondit një javë më parë, teksa avokatja e njohur, Eni Çobani, kishte vënë përballë bashkëshorten dhe të dashurën e një burri, në një seancë ndërmjetësimi live tek “E diela shqiptare” në rubrikën “Shihemi në gjyq”.
Ai realitet që pëshpëritet me zë të ulët në ambiente shumë intime familjare dhe miqësore, teksa mes një çifti fillon të shquhet hija e një të treti, kësaj here doli faqe botës, ku përballë ishin dy gra, të cilat përveç mllefit dhe urrejtjes, nuk artikuluan asgjë tjetër në atë debat drithërues përballë miliona shqiptarëve.
Bashkëshortja e një burri, i cili pas informacioneve që ne morëm, rezulton një biznesmen i fuqishëm, i kishte kërkuar avokates Çobani që rastin e saj të mos e linte brenda mureve të zyrës së saj, por ta bënte atë publike në televizion, mbase si një mënyrë për të ndëshkuar përballë opinionit, femrën që po guxonte t’i merrte burrin.
E kontaktuar nga gazeta “Panorama”, Çobani rrëfen se kishte rreth dy muaj që merrej me këtë histori. Gruaja kërkonte dëmshpërblim për problemet shëndetësore që i kishte krijuar femra që u fut në mes. E pyetur nëse e kishte pasur problem që të sillte në televizion të dashurën e burrit, e cila dihej që në fillim që do kryqëzohej nga opinioni si një prishëse familjeje,
Çobani tregon se është çuditur me gatishmërinë e saj për t’u vënë përballë gruas me të cilin ai burrë kishte rreth 30 vite martesë dhe dy fëmijë. E dashura me një arrogancë të tepruar tregoi se ishte dashuruar me burrin qëkur u takuan për herë të parë dhe se diferenca e moshës nuk përbënte problem për të.
Ajo rrëfeu gjithashtu se ata kishin blerë tashmë një shtëpi për të jetuar bashkë dhe se ishte shtatzënë. Situata u bë shumë inkandeshente dhe Çobani tregon se ishte shumë e vështirë të menaxhoje emocionet e tyre, fjalorin që i kishin rezervuar njëra- tjetrës, duke pasur parasysh që ishin në ekran dhe aty kërkohet një farë etike.
Ne i kërkuam zonjës Çobani që të na tregonte identitetin e burrit për të cilin bëhej ky sherr mes dy femrave, por ajo pohoi se nuk ka kontakte me të dhe se ai nuk do pranonte të përballej në media, paçka se njerëzit ia kërkojnë kudo ku e takojnë. Të gjithë janë kuriozë të dinë se çfarë mendon ai burrë për gruan e tij apo për të dashurën, a janë të vërteta fjalët e kësaj të fundit për blerjen e shtëpisë dhe shtatzëninë. Dhe në fund fare, përtej sigurisë që kishin të dyja gratë që ai burrë i përkiste secilës, ai vetë cilën ka zgjedhur, bashkëshorten apo të dashurën?





