TIRANE, 6 prill 2013- Në një deklaratë të sajën PDIU dhe Shoqata Camëria e cilëson teatër mbledhjen e djeshme të Komisionit të Jashtëm, ku po merrej në shqyrtim rezoluta Came.
"Dje në Komisionin e jashtëm të Parlamentit shqiptar pamë një teatër në lidhje me rezolutën e paraqitur nga PDIU mbi zgjidhjen e çështjes çame. Një teatër i padenjë, për një tekst që mori vlerësimet më të larta nga juristë të shquar të së drejtës ndërkombëtare, intelektualë të shquar, shoqata mbarëkombetare dhe opinioni publik. Ne dje nuk dëgjuam sugjerime apo kritika profesionale, por vetëm justifikime për zvarritje, apo gjykime foshnjërake a thua se 70 vjet histori e përpjekje të një komuniteti të tërë nuk ekzistonin", thuhet në deklaratë.
"Pamë përpjekje të paturpshme për joshje të PBDNJ-së nga të gjitha partitë e pranishme në atë sallë të Komisionit dhe asnjë fjalë të tyre, për tragjedinë çame. Pse vallë, kur të gjitha partitë e kanë futur në programin e tyre çështjen çame?Për fat të mirë shfaqja e djeshme pati dhe nota pozitive. Ishin 2 deputetët e PDIU-së, të cilët mbrojtën dhe argumentuan drejtësinë e rezolutës Came", thuhet në deklaratë.
Në deklaratën e Shoqatës Camëria i bëhet thirrje politikanëve të mos hezitojnë të japin votën e tyre pro rezulotës javës tjetër në Kuvend.
"Kjo rezolutë është kontribut për një fqinjësi të mirë. Ajo është kontribut i drejtpërdrejtë në politikën shqiptare për të hequr ligjin e Luftës, për të Riaktivizuar Traktatin e miqësise që ka 18 vjet që mbetet në letër. Rezoluta është një kontribut i drejtpërdrejtë në ndihmë të shtetit shqiptar për tu sjellë me dinjitete dhe reciprocitet në mardhëniet me fqinjët. Ne i bëjmë thirrje ndërgjegjies kombëtare të seicilit deputet, që ta miratojë javën që vjen, një akt historik si Rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame.I bëjme thirrje dy forcave politike PD dhe PS që të mos hezitojnë të votojnë këtë rezolutë, duke mos u bërë pjesë e nje historie turpi të përsëritur".
"Nëse nuk miratojnë Rezolutën të mos guxojnë t’i afrohen për vota komunitetit tonë. Nëse do shohim të përsëritet skenari i viteve të tjera, komuniteti çam paralajmëron shkallëzimin e protestave në Kuvend dhe kudo", theksohet më tej në deklaratë.





