TIRANE, 6 prill 2013- Në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u mblodh grupi i punës për përballimin e situatave emergjente që mund të krijohen në sektorin elektroenergjetik dhe sektorët e tjerë të ekonomisë nga rreshjet dhe prurjet e mëdha nga lumenjtë dhe kaskadat.
Përfaqësues të METE-s, KESH-it, OST-së dhe CEZ-it bënë një pasqyrë të përgjithshme të gjendjes elektroenergjetike duke raportuar të dhënat nga terreni për kushtet klimaterike, prurjet e ujërave dhe shkarkimet nga liqenet e HEC-eve në kaskadën e lumit Drin.
Mbledhja u drejtua nga ministri i e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z.Florjon Mima.
Grupi i punës vërejti:
-Janë marrë të gjitha masat dhe çdo institucion dhe strukturë është në gatishmëri të plotë.
-Në të gjithë sektorët gjendja është tërësisht nën kontroll.
-Gjendja e prurjeve të ujërave dhe shkarkimet janë nën kontroll.
-Nuk ka rrezikshmëri të shtimit të prurjeve të ujërave dhe veçanërisht pa asnjë rrezik për përmbytje apo të natyrës së përmbytjeve.
-Gjendja e digave të HEC-ve është nën kontroll.
-Turbinat e HEC-ve në kaskadën e Drinit janë në punë.





