TIRANE, 6 prill 2013- Kryetari i Aleancës KuqeZi për Tiranën, Rezar Balla nëpërmjet një deklarate për mediat i bën thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e nesërme, për largimin e e kryeministrit, sic tha ai.

“Të nderuar qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë! Aleanca KuqeZi ka nderin dhe kënaqësinë t’iu ftojë në protestën e parë që do të mbahet në Tiranë, më 7 Prill, ora 11:00, në shëshin “Skënderbej”. Liria dhe demokracia për të vendosur fatet e gjithësecilit prej nesh lyp nevojën për mobilizimin dhe bashkimin e fuqisë së zërit dhe mendjes”, thotë ai. 

Balla shtoi se, “7 Prill pa Berishën” është protesta patriotike, e cila kërkon mbështetjen e mbarë popullit shqiptar për t’i dhënë mesazhin e fortë të fuqisë së bashkimit të zemrave kuqezi në përpjekje për të rifituar lirinë, të drejtat dhe për të marrë në dorë fatet e Shqipërisë”. 

“Demokracia, liritë, të drejtat dhe e ardhmja tashmë janë përqëndruar në duart e pista të shtetasit Berisha dhe një grushti njerëzish që kombin dhe atdheun e vendosin në plan të dytë, pasi në plan të parë kanë vendosur interesat e ngushta dhe meskine të gjithësecilit prej tyre”, vijoi ai më tej. 

“Aleanca KuqeZi vjen si e vetmja alternativë opozitare, e cila përgjatë dy viteve nuk ka rreshtur së denoncuari dhe demaskuari çdo aferë korruptive, kriminale dhe antishqiptare të kësaj klasë politike krejtësisht antikombëtare. Ne, ju ftojmë të bashkoheni ditën e Diel, ora 11:00, në sheshin “Skënderbej”, në protestën ku nuk do të ketë as banderola politike, as flamuj politikë. Atë ditë do të lartësojmë në skaje simbolet kombëtare të shqiptarëve. Një protestë patriotike, për të parën herë, të gjithëve na takon të bashkohemi për të lëshuar mesazhin e fortë se prosperiteti i kombit shqiptar nuk mund të tregtohet në tavolinat e asnjë force apo kampi politik”, shtoi më tej Balla.