SHBA, 5 prill 2013 – Një video tronditëse, që po bën xhiron e botës në internet, ka shkaktuar zemërim dhe akuza ndaj policisë në Springfield të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Një grua me ngjyrë, në muajin e tetë të shtatzënisë, njoftoi policinë për të denoncuar sulmin ndaj automjetit të saj në një parking, por ajo u shndërrua në pre e dhunës policore. 

Në video duket qartë momenti kur policët kanë kërkuar të shoqërojnë në komisariat gruan shtatzënë, pasi personi që ajo akuzoi, si përgjegjës për dëmtimin e makinës së saj, i mohoi akuzat. Refuzimi i saj për të shkuar në stacionin policor bëri që agjentët të ushtronin dhunë. 

Të pranishmit në vendin e ngjarjes filmuan me celular momentet kur gruaja goditet me pistoletë elektrike dhe shtrihet në tokë. 

Rasti në fjalë ka shkaktuar zemërim në SHBA dhe debate të shumta rreth përdorimit të pistoletës elektrike nga ana e policëve, sidomos ndaj një gruaje shtatzënë. 

Megjithatë, policia e Springfildit reagoi duke mbrojtur agjentët e saj, duke nënvizuar se ata kishin vepruar në zbatim të ligjit.