TIRANE – Në një tryezë me ish-ushtarakët, kryetari i socialistëve Edi Rama kërkoi votën e tyre më 23 qershor, duke theksuar se “vota është sot arma për të luftuar për të drejta dhe për t’u përpjekur bashkë me të tjerë që t’i hapet rrugë realizimit të shpresave dhe të ëndrrave”.

Kryesocialisti u prezantoi të pranishmëve në takim atë pjesë të programit për një Rilindje Shqiptare që lidhet me reformimin e strukturave të ushtrisë dhe policisë në vend, si dhe me atë që ata e quajnë, rikthim të dinjitetit të të gjithë ushtarakëve. 

“Saliu premtoi përpara zgjedhjeve të 2009, Ligjin për pensionet tuaja, dy muaj përpara zgjedhjeve. Madje u shit si një detyrim i madh i papërmbushur nga socialistët, atëherë, dhe që mori përsipër ta përmbushë Saliu me Ridvanin. E çfarë ndodhi? Menjëherë pas zgjedhjeve juve u rrënuat edhe më tepër në dinjitetin tuaj, sepse u refuzua jo zbatimi i atij ligji, por respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kështu që është absolutisht legjitime që të gjithë ju si shumë të tjerë të thoni ‘tani çfarë duhet të besojmë ne dhe pse duhet të besojmë ne dhe si do t’ia bëjmë ne që të besojmë, sepse kaq shumë sa kemi parë dhe kemi dëgjuar na pengon që të shohim të ardhmen duke dëgjuar me veshin mbajtur kur flasin ata që sot kërkojnë të qeverisin”.

Duke u ndalur tek gjendja aktuale e ushtrisë shqiptare, kreu i socialistëve tha se “forcat e armatosura janë të kapura nga një kupolë mafioze që kanë shndërruar zyrat në zyra hipoteke ku blihen, shiten e tjetërsohen pronat.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/