TIRANE, 3 prill 2013 – Deputeti demokrat Gerti Bogdani, ka reaguar pas deklaratave të kreut opozitar, duke i cilësuar sulme absurde deklaratat e bëra nga deputetja Eglantina Gjermeni.

“Sot Rama vijoi me sulmet absurde nga salloni ngjyrë mavi nëpërmjet zëdhënëses së tij. Faktet janë këto: Papunësia është ulur, të ardhurat që përfitojnë të papunët janë rritur, sikurse dhe të ardhurat suplementare për familjet në nevojë janë rritur me gati 70%. Të papunët dhe familjet në nevojë përfitojnë më shumë shërbime pa pagesë, duke përfshirë shërbime shëndetësore, apo libra pa pagesë për fëmijët e tyre.

Duke ju referuar statistikave të Bankës Botërore për vendin tonë, Bogdani tha se vafëria në vend është ulur me 33%., ndërkohë që në projektet e qeverisë në infrastrukturë janë punësuar 58 mijë shqiptarë në vit.

“Kjo është edhe arsyeja që kemi mbi dyfishuar rrogat për mësuesit, mjekët, infermierët dhe policinë dhe pse kemi dyfishuar pagesën minimale. Kjo është arsyeja se pse kemi ulur taksat dhe nëpërmjet taksës së sheshtë kemi lejuar biznesin që të zgjerohet dhe sot, numri i bizneseve të vogla është rritur me 50% dhe numri i bizneseve të mesme në Shqipëri është rritur me 150%. Vendimet që kemi marrë kanë krijuar vende pune dhe kanë sjellë më shumë të ardhura për xhepat e qytetarëve. Dhe ne e dimë që kemi akoma punë për të bërë", tha Bogdani në një prononcim për mediat.