Partia Demokratike ka mbledhur këtë të enjte pasdite Këshillin Kombëtar ndërsa gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të vijojë të mbështesë pa kushte protestën e zhvilluar prej rreth tre muajsh duke e cilësuar si “heroike dhe të jashtëzakonshme”.

“Kjo protestë meriton vlerësimet më të mëdha, jo vetëm për guximin heroik që shpalos, jo vetëm për persistencën dhe masivitetin e saj, por kjo protestë i ka kryer kombit një shërbim jashtëzakonisht të çmuar. Falë kësaj proteste, sot Edi Rama është njeriu më i urryer i Shqipërisë, i Ballkanit dhe ndoshta i mbarë Evropës. Edi Rama është sot kryeministri më i damkosur, më i diskredituar ndërkombëtarisht. Edi Rama po zhytet në një spirale pa kthim mbrapa dhe nuk ka Diell, nuk ka besë besëpreri, nuk ka satelit, nuk ka pasqyrë që ta shpëtojë, sepse për herë të parë Edi Rama del me pikë më poshtë se partia e tij e krimit”, deklaroi Berisha.

Ai sqaroi se anëtarë, mbështetës, deputetë dhe drejtues të PD-së kanë marrë dhe do të vijojnë të marrin pjesë në protesta, por pa simbole partiake dhe pa protagonizëm politik.

“Si partia më e madhe opozitare, ne jemi angazhuar në mbështetje të plotë në forma të ndryshme të kësaj proteste”, tha Berisha.

Berisha kërkoi dorëheqjen e kryeministrit, duke deklaruar se, sipas tij, kjo do të ishte “skenari më pak i dëmshëm” për Ramën.

“Absolutisht, pas një vere si kjo, çdo njeri në botë në vendin e Edi Ramës do të kishte dhënë dorëheqjen dhe vetëm dorëheqjen. Dorëheqja për Edi Ramën do të ishte skenari më pak i dëmshëm për të në këto kushte. Mirëpo, në 13 vite pushtet absolut, Edi Rama jo lider që nuk çohet nëpërmend, por as burrë nuk u bë dot kurrë, sepse vodhi dhe vetëm vodhi. Vodhi natën, vodhi ditën, vodhi zgjuar, vodhi në gjumë qytetarët e këtij vendi. Ndaj dhe ai, ndonëse ka popullin në shesh prej tre muajsh, nuk jep dhe nuk guxon të mendojë dorëheqjen e tij. Prandaj është detyra jonë si opozitë e vërtetë e Shqipërisë që të bëjmë gjithçka që të çojmë Edi Ramën në dorëheqje. Detyra e parë, ashtu siç kemi bërë që në ditët e para, është të mbështesim pa kushte protestën heroike dhe të jashtëzakonshme rinore qytetare. Sot, pas 90 ditësh, dështuan të gjitha ato përpjekje të armiqve tanë që donin, njëlloj si miza në prapanicën e kalit, të dukeshin se ishin ata që tërhiqnin karrocën. Bënë gjithçka si vegla të Edi Ramës, me sloganet e tyre kundër PD-së, në mënyrë që demokratët të mos ishin në protestë. Por gabuan, gabuan keq. PD-ja dhe protesta janë të lidhura njëlloj si syri me dritën”, u shpreh kreu i PD-së.

Sipas tij, demokratët kanë zhvilluar gjatë katër viteve të fundit më shumë se 420 protesta kundër qeverisë Rama, duke akuzuar mazhorancën për korrupsion, keqqeverisje, përdorim politik të drejtësisë dhe lidhje me krimin e organizuar.

Berisha deklaroi gjithashtu se PD-ja ka denoncuar në qindra dosje penale, sipas tij, “lidhjet e qeverisë me krimin dhe drogën”, ndërsa përmendi edhe rezolutat ndërkombëtare dhe misionet faktmbledhëse të ardhura në Shqipëri.