TIRANE, 01 prill 2013– Kuvendi po debaton në seancën e sotme plenare projektligjin "Për administratën gjyqësore", pjesë e paketës së reformës në drejtësi. 

Në diskutimet e tyre përfaqësuesit e opozitës theksuan se p/ligji nuk sjell ndonjë risi dhe nuk përmirëson aspak situatën ku ndodhet sot administrata gjyqësore. Sipas tyre pika më e kontestuar e draftit është "roli i pakufizuar i ministrit të Drejtësisë në çështjet e administrimit të gjykatave" 

Në fjalën e saj, deputetja e PS-së Shega Ligori kundërshtoi draftin e propozuar nga ministria e Drejtësisë duke akuzuar maxhorancën se po shkel kushtetutën. Sipas Ligorit, ky draft nuk rregullon kompetencat e administrates gjyqesore, por e kthen ministrin e Drejtësisë në administratorin e çdo gjykate.

Ndërkohë ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, theksoi se pr/ligji në fjalë përafron statusin, organizimin dhe funksionimin e administratës gjyqësore shqiptare me standardet më të mira europiane. Për ministrin, kjo nismë është një nga reformat më të rëndësishme të sistemit gjyqësor, reforma për modernizimin dhe konsolidimin e administratës gjyqësore në Shqipëri. 

Ministri Halimi ka theksuar se, kjo reformë adreson edhe gjetjet e Komisionit Evropian, sipas të cilit mungesa e një kuadri ligjor gjithëpërfshirës për administratën gjyqësore në përputhje me standardet evropiane, me gjykata dhe staf gjyqësor të organizuar në mënyrë të qartë, pengon transparencën dhe eficencën në aktivitetet e gjykatave. Sipas tij, me këtë reformë administratës gjyqësore po i jepet statusi që meriton, i cili e mbron, e përforcon dhe e garanton në ushtrimin e veprimtarisë së përditshme në gjykatë. 

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, akuzoi PS-në se kur ka qenë në pushtet ka emëruar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, gjyqtarë që kanë qenë të lidhur me krimin. "Një gjyqtar e bëtë anëtar të KLD-së duke i pasur dosjet mal. Dhe kur ne kërkuam që ai të largohej, ju me votën tuaj 'të pavarur' thatë "JO, ai duhet të rrijë atje si anëtar i KLD-së', pasi ishte i sponsorizuar personalisht nga ju. Ishte ky gjyqtar që i hapi rrugën bandës së Lushnjes dhe Aldo Bares. Kjo është drejtësia e pavarur që ju (opozita) bëtë për tetë vjet, ndërsa tani po u bëka qameti se pse ministri i Drejtësisë po bën emërime në gjykata", – iu drejtua ministri Halimi deputetëve të PS-së. 

Ndërkohë, sipas deputetit demokrat Tritan Shehu, “domosdoshmëria për këtë ligj vjen nga detyrimet ndërkombëtare dhe plotëson një hapësirë ligjore të një sektori të rëndësishëm. Ky ligj përcakton parimet bazë të administratës gjyqësore në Shqipëri, konsolidon pavarësinë e sistemit gjyqësor.”

Rendi i ditës i seancës së sotme përfshin dhe shqyrtimin e disa shtesave në ligjin "Për tatimin mbi vlerën e shtuar", i cili pritet të shoqërohet me debate si dhe disa ndryshime në ligjin "Për planifikimin e territorit".

KUVEND, PR/LIGJI PER "PLANIFIKIMIN E TERRITORIT" 

Kuvendi shqyrtoi disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për planifikimin e territorit", që synojnë rritjen e autoritetit të pushtetit vendor për zhvillimin e planeve zhvillimore urbanistike në territorin e Shqipërisë. Ligji i ri krijon mundësinë që për elemente të planifikimit të territorit autoritetet lokale të mos kenë nevojë ose detyrim të paraqitjes të çdo plani, qoftë ai pjesor ose më pak pjesor, tek organet qendrore, siç është Këshilli Kombëtar i Territorit. Ligji ka pësuar ndryshime në disa nene të tij, ku më kryesori është futja e konceptit të planit të detajuar vendor të planifikimit. Ligji aktual përcakton vetëm një plan të përgjithshëm vendor të planifikimit, i cili detyrimisht nga hartuesi duhet të kalojë në këshillat bashkiakë dhe nga këshillat bashkiakë në regjistrin kombëtar. Pas këtij procesi, pasi të jenë reflektuar të gjitha ndryshimet që mund të kenë qenë të nevojshme, plani kalon nga Këshilli Kombëtar i Territorit. 

VOTIMI I DEKRETEVE TË PRESIDENTIT, SOT PROVA NË KUVEND

Partitë e koalicionit qeverisës, PD dhe LSI, do të vendosen sot sërish përpara provës për votimin e tri dekreteve, Xhezair Zaganjori për në Gjykatën e Lartë dhe Gani Dizdari e Besnik Imeraj në Kushtetuese. 

Pas dështimit të marrëveshjes në seancën e të enjtes, kur katër deputetët e LSI-së nuk pranuan të votonin emrat e gjyqtarëve të propozuar nga Presidenti Nishani, pritet të shihet nëse do të ketë një pakt mes palëve. Burimet ende nuk shprehen të sigurt për votimin e këtyre emrave, pasi LSI-ja vazhdon të kërkojë që së bashku me këta tre emra të votohet edhe dekreti i Artan Hoxhës për në Gjykatën Kushtetuese. 

Ky ishte shkaku që çoi në heqjen nga rendi i ditës në seancën e fundit të dekreteve. Të kontaktuar ditën e djeshme, deputetët e PD-së thanë se ende nuk janë lajmëruar për votimet e seancës, ndërkohë që kur ka pasur ligje të rëndësishme për t’u miratuar prej tyre, është kërkuar që të mos mungojnë në Parlament. 

Në momentin e votimit, të enjten në radhët e maxhorancës mungonin Kryeministri Berisha, deputetët e LSI-së, Ilir Meta, Lefter Koka dhe ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, por dhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Këto mungesa bënë që maxhoranca të mos kishte 71 deputetë dhe ligjet e futura në rendin e ditës u miratuan me 69 vota.