TIRANE, 01 prill 2013– Një person është plagosur rëndë mesditën e sotme në kryeqytet, pasi u përplas nga autobusi i linjës së Unazës.
Burime nga policia bëjnë të ditur se aksidenti ka ndodhur pranë Farmacisë 10 në Tiranë, ku autobusi ka përplasur kalimtarin, që po tentonte të kalonte në anën tjetër të rrugës.
Mësohet se drejtuesi i autobusit nuk është ndalur pas aksidentit, por ka vijuar rrugën.
Ndërkohë i lënduari, ende i paidentifikuar, është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, prej ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.
Policia vijon hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes, ndërkohë që pritet edhe shoqërimi i drejtuesit të autobusit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.





