DURRES, 31 mars 2013– Plagos me sende të forta kunatën për një mur ndarës. Ngjarja e rëndë është regjistruar pak minuta më parë në zonën e ish-Kënetës në Durrës.
Burime policore bëjnë të ditur se 36 vjeçari Edmond Tahiraj ka goditur me sëpatë në kokë, kunatën e tij 37 vjeçare Rozeta Tahiraj. Mësohet se e reja është dërguar me urgjencë në spitalin e Durrësit dhe po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Policia pasi është njoftuar për ngjarjen ka shoqëruar menjëherë në komisariat autorin e plagosjes së rëndë.
Sipas hetimeve të para të policisë, 37 vjeçarja është goditur pas një sherri që ka pasur për motiv murin ndarës të banesës së përbashkët ku jetonin dy vëllezërit Tahiraj, me origjine nga Fieri, por banues ne Durres.
Dy vëllezërit janë përfshirë në sherr për murin që ndante avllitë e shtëpive të tyre, ndërkohë që në konflikt kanë marrë pjesë edhe bashkëshortet e tyre. Në sherr e sipër, Edmond Tahiraj ka qëlluar mbi kunatën e tij. Kjo e fundit ka marrë plagë të rënda në kokë.
/m.l. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





