ANGLI, 31 mars 2013 – Today News tregon historinë e adoleshentes  Katelyn Norman, e cila u bë e njohur në të gjithë botën për Listën e Fundit të saj, e thënë ndryshe, listën e gjërave që duhet të bënte para se të vdiste.

14 vjeçarja mbylli sytë një ditë më parë pas një lufte të gjatë me kancerin e kockave. Ajo zbuloi se ishte e prekur nga sëmundja vdekjeprurëse dy vjet më parë dhe që nga ajo kohë hartoi listën e dëshirave që donte të realizonte para se të mbyllte sytë.

Ajo ndërroi jetë pasi bëri realitet edhe ëndrrën e fundit të saj. E ëmbla Kate mbylli sytë pasi veshi një fustan të bukur për të marrë pjesë në ballon e fundvitit në spitalin ku ishte shtruar.

Miqtë dhe të afërmit e 14 vjeçares patën hapur edhe një faqe në Facebook për të mbledhur fonde për kurimin e saj ku njoftonin gjithashtu gjendjen e saj shëndetësore.

Në postimin e fundit shkruhet: “Beteja nuk ka marrë fund. Kate do të vazhdojë të inspirojë njerëzit në të gjithë botën”.  

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/