ITALI, 31 mars 2013 – Gjatë një vizite në Itali, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja Linda ka zhvilluar një takim me shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në këtë vend. Gjatë takimit Rama ka folur për programin e PS-së për një Rilindje Shqiptare.
Kreu socialist është ndalur në pikat e programit që lidhen drejtpërdrejt me problematikat e shqiptarëve që cilët jetojnë jashtë Shqipërisë.
Duke folur për pjesëtarin më të ri të skuadrës së Rilindjes, kandidatin për deputet në zonën e Kavajës, Parid Cara, kreu i PS ka thënë: “Parid Cara është deputeti i parë në historinë e parlamentit shqiptar që zgjidhet si përfaqësues i emigrantëve dhe si një shembull për t’u marrë nga të gjithë për historinë e tij të suksesit për historinë e tij të sakrificave dhe të solidaritetit me emigrantët e tjerë”.
Duke qenë se lideri socialist ka kaluar një periudhë të jetës së tij në emigracion ai ka rrëfyer para të pranishmëve se i kupton më se miri problematikat e tyre.
“Unë kam qenë vetë në emigracion, unë e di shumë mirë se çfarë është emigracioni, e di shumë mirë se historitë e emigrantëve janë të gjitha të ndryshme, por ama të gjitha historitë kanë të përbashkët një gjë, ambicien për t’ia dalë dhe kanë të përbashkët vështirësitë dhe pengesat në rrugën për t’ia dalë”, është shprehur kryetari i PS-së.
Duke folur për të drejtën legjitime të emigrantëve për të votuar aty ku jetojnë, Rama fillimisht i është referuar propozimit ligjor të PS-së, për këtë qëllim dhe refuzimit nga PD-ja. “Ne kemi propozuar dy herë vendosjen e votës së emigrantëve dhe kemi synuar që të gjithë emigrantët të mund të votojnë aty ku jetojnë. Kjo nuk ka qenë e mundur. Nuk ka qenë e mundur sepse PD-ja ka qenë plotësisht kundër dhe në fakt nuk ka sesi PD-ja të ishte pro, kur mendon se kryeministri i sotëm i Shqipërisë nuk ka zhvilluar në 8 vjet asnjë takim me emigrantët asgjëkundi. Nuk ka shkuar asnjëherë t’i shikojë në sy, ta shohin në sy dhe t’i dëgjojë se çfarë kanë për të thënë emigrantët”,- ka përfunduar kryesocialisti.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





