FIER, 31 mars 2013– Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka vlerësuar arritjet e mazhorancës qeverisëse si një hap përpara drejt familjes së madhe evropiane, por u shpreh ai "në asnjë mënyre nuk duhet të arrihet në vetëkënaqësi dhe të ndalen ritmet e reformave”. 

Nga Fieri, ku mori pjesë në aktivin e degës së Partise Republikane, në kuadër të zgjedhjeve të 23 qershorit, Mediu e vuri theksin edhe në bllokadën që PS i ka bërë çështjes evropiane. 

Sipas tij shoqëria shqiptare ka arritur një polarizim të tejskajshem, i cili vetëm dëme dhe të çara mund të sjellë në shoqëri. "Ajo që më ka bërë përshtypje dhe që përbën një rrezik për në është ndarja politike dhe uniformiteti partiak i paragjykimeve: ose lavdërojmë ose shajmë gjithçka. Ky lloj agresiviteti, kjo lloj ndarje i shërben vetëm një grupi të vogel për të komanduar dhe kontrolluar gjithçka që ka të bëjë me jetën tonë”, tha Mediu. 
“Është koha që duhet të flasim, te behemi vendimmarrës të jetës sonë. Asnjë s’ka të drejtë të na gjykojë dhe pargjykojë, liria që kemi fituar është dhuratë dhe e drejtë nga zoti, jo qeveria", theksoi Mediu.