TIRANE, 30 mars 2013 – Në prag të kremtimit të Pashkëve, presidenti i Republikës, Bujar Nishani, përcolli urimet e tij për të gjithë besimtarët katolikë. Në mesazhin e tij, kryetari i shtetit nënvizon se Pashkët na kujtojnë Ringjalljen dhe na ngjallin shpresën për të cilën kemi aq nevojë.
“Është kënaqësi t'i urosh Pashkët një besimtari të vetëm, e jo më një komuniteti të tërë që jeni Ju, kristianët katolikë shqiptarë kudo ku ndodheni. Bëhet e shumëfishtë kjo kënaqësi po të kujtosh se këtë urim ia dedikoj një pjese të mozaikut të mrekullueshëm multireligjioz shqiptar, atij mozaiku që prej shekujsh ka funksionuar aq mrekullisht duke mundësuar marrëdhënie ndërfetare paqësore mes besimeve tona",- shprehet Nishani.
"Pashkët bartin një numër simbolikash nga më domethënëset, më të bukurat dhe më të vlefshmet.
Pashkët me anë të simbolit të përsosjes përmes sakrificës, na japin shembullin aq të vyer të rrugës sa të mundimshme dhe të bukur drejt Virtytit.
Pashkët na kujtojnë dhe na ngjallin Shpresën, që aq shumë na nevojitet, për jetën tonë, për punët tona, për familjet tona, për të ardhmen tonë.
Pashkët na rievokojnë rëndësinë e të rënit dëshmor të njeriut për njeriun.
Pashkët na rikujtojnë rëndësinë e Pasionit krishtëror dhe njerëzor dedikuar lartësimit të njeriut.
Pashkët, duke na bërë të ndiejmë pafundësinë, janë prova që Zoti na jep për të na kujtuar se jeta është thelbësisht shpirtërore.
Por, mbi të gjitha, Pashkët na kujtojnë Ringjalljen, këtë mrekulli njerëzore dhe qiellore, për të cilën kemi aq nevojë",- vijon më tej ai.
"Lejomëni të dashur besimtarë kristianë katolikë t'ju kujtoj se ne jetojmë dhe vdesim, Krishti vdiq dhe jetoi, Krishti u ngjall, edhe ne do të ringjallemi.
Si dhe t'ju kujtoj gjithashtu, se po të mendojmë nga pak çdo ditë për sakrificën e Krishtit, bëhemi më të mirë, më të urtë, më të butë, më të dashur, më të njerëzishëm, për vete, për tjetrin, dhe për të gjithë.
Në këtë ditë të shenjtë të Pashkës ju uroj secilit prej jush dhe familjeve tuaja dashuri, lumturi, paqe, miqësi, kthjelltësi”,- përfundon urimi i presidentit Nishani.





