TIRANE, 29 mars 2013 – Ngjarjet që kanë tronditur opinionin publik gjatë ditëve të fundit dhe të dhënat shokuese që janë publikuar në media, kanë detyruar kryeprokurorin Adriatik Llalla të urdhërojë nisjen e procedimit penal për nxjerrje të sekretit hetimor dhe shkelje të rëndë të privatësisë së disa shtetasve. 

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Përgjithshme, kryeprokurori vlerëson si të patolerueshëm faktin që të dhëna që gjenden në fashikujt e çështjeve në hetim të bëhen publike, duke dëmtuar së pari integritetin moral dhe personal të personave të goditur nga krimi dhe nga ana tjetër, duke cënuar rëndë cilësinë e hetimit të veprave të rënda penale. 

Për të zhvilluar një procedim të drejtë dhe gjithëpërfshirës, Prokurori i Përgjithshëm, si hap të parë, ka urdhëruar zëvendësimin e prokurorëve dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore që kanë zhvilluar hetime mbi disa nga çështjet me impakt të madh në opinionin publik të këtyre ditëve. Nga ana tjetër Llalla garanton se do të dëshmojë ashpërsi ndaj prokurorëve që publikojnë të dhëna të çështjeve në hetim, të çdo natyre dhe për çdo qëllim. 

Prokuroria nuk jep detaje për ngjarjet apo prokurorët e oficerët e policisë gjyqësore që dyshohen për nxjerrje të sekretit hetimor, por mendohet se gjithçka lidhet me publikimin e të dhënave që kanë të bëjnë kryesisht me rastin e pedofilit Ardian Prrenjasi.

“Prokurori i Përgjithshëm garanton gjithashtu se organi i akuzës ka prioritet transparencën me publikun dhe median dhe në asnjë rast nuk do të cënohet e drejta për informim. Por kjo transparencë nuk duhet në asnjë moment të dëmtojë cilësinë e aktivitetit institucional dhe për më tepër të sjellë dëme të pariparueshme në jetën e personave, të cilët janë viktima të veprave penale.”- përfundon njoftimi i Prokurorisë.