TIRANE, 29 mars 2013– Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, është i bindur se askush në kampionatin shqiptar nuk mund ta ndalë këtë sezon skuadrën e tij. Në një bisedë për “Panorama Sport”, në prag të ndeshjes kundër Teutës, mban prej javësh vendin e dytë, kreu i klubit flet me optimizëm. Fillimisht Takaj përgëzon ekipin për rrugën që ka bërë deri më tani, ndërkohë që ka kërkuar nga lojtarët të vazhdojnë punën për të siguruar të dy trofetë. Takaj është i sigurt se titulli kampion dhe Kupa e Shqipërisë do të vijnë në Korçë. “E kemi thënë shumë herë se ky vit është i Skënderbeut, çka po e përsëris sërish.

Jemi një marsh më shumë se ekipet e tjera dhe nuk mund të na ndalë askush për të plotësuar objektivat tona sezonale. Kam bindjen se edhe ndaj Teutës do arrijmë një fitore bindëse. Duhet vetëm që të jemi të përqendruar dhe të qetë në rrugën tonë. Këtë vit na presin festime të mëdha në Korçë”, – ka thënë Takaj për pritshmërinë e këtij sezoni. Gjithashtu, kreu i klubit nuk ka ngurruar të thur elozhe për Sabjen Lilajn, për të cilin është i lumtur që ka bërë një ndeshje për t’u vlerësuar me Kombëtaren shqiptare. “Paraqitja e mirë e Lilajt më nderon mua si president, ashtu edhe gjithë ekipin e Skënderbeut”, – shtoi presidenti për mesfushorin korçar. 

Rinovimet Duke qenë i përqendruar tek ekipi i tij, presidenti i Skënderbeut nuk mohoi të zbardhë edhe çështjen e kontratave që kanë mbetur ende pezull. “Për sa i përket rinovimit të kontratave edhe për një vit e gjysmë, mund t’ju them tashmë se kemi gjetur gjuhën e përbashkët dhe praktikisht kemi rënë dakord me Lilajn dhe Plakun. Dy lojtarët, edhe pse nuk kanë firmosur ende, janë të sigurt që do ta bëjnë një gjë të tillë. Kemi rënë dakord për këtë gjë, por firmat nuk janë hedhur, pasi nuk na është dashur të nxitojmë, duke qenë se kjo është vetëm një kontratë që nuk hyn në fuqi tani, por në fund të sezonit.

Të gjithë tifozët korçarë të jenë të qetë, sepse si Lilaj, ashtu edhe Plaku do të firmosin së shpejti”, – sqaron Takaj. Ndërkohë, i pyetur për pjesën tjetër të lojtarëve që nuk kanë rinovuar, kreu i klubit ka dhënë një përgjigje me humor. “Punët e mira bëhen avash-avash. Fillimisht do të presim të përfundojë sezoni aktual dhe do të shohim se si do shkojnë gjërat në fund të këtyre shtatë javëve. Më pas do të kemi mundësinë që të vendosim për rinovimin e kontratave të atyre që kanë mbetur pezull. Mendoj se pak a shumë të gjithë do të firmosin, edhe pse ne do të rivlerësojmë se kush prej tyre që nuk kemi biseduar ende na nevojitet më shumë për sezonin e ardhshëm. E rëndësishme është që të gjithë kanë dëshirën për të kontribuuar akoma me këtë fanellë dhe ta ndihmojë ekipin të arrijë objektivat”, – ka përfunduar presidenti i Skënderbeut, i cili gjithnjë ka folur me garanci për suksesin e skuadrës së tij. 

“Synojmë kalimin e një turi në Champions” 

 

Numri një i klubit bardhekuq, Ardian Takaj, gjatë bisedës për “Panorama Sport” nuk nguroi të zbulonte edhe disa nga pritshmëritë për edicionin e ardhshëm. “Sezoni që do të vijë për ne fillon nga Liga e Kampionëve dhe do mundohemi të bëjmë më të mirën tonë në këtë kompeticion, pse jo të arrijmë të kalojmë një tur. Atë që ishim aq afër vitin që kaloi, shpresoj ta bëjmë këtë herë. Për të bërë realitet ëndrrën e të gjithë korçarëve, ju siguroj se në merkato do ketë afrime cilësore për të përforcuar grupin në maksimumin e mundshëm. Do tentojmë të bëjmë historinë edhe në Champions”, – është shprehur presidenti.