·Dossier i “Dyrrahut”/ Kështu familja e madhe Spiru merr policë te britanikja “Sun Insurance Office” e Londrës, e krijuar që në vitin 1710. Paguhen 150 franga ar metal për një pasuri prej 50 mijë franga ar metal (5 dyqane në katin përdhes dhe hotel “Tirana” në katin e dytë) në ish-rrugën “Ali Pashë Tepelena”
DURRËS, 29 mars 2013 –Zbulohet një policë sigurimi e rrallë e vitit 1936 e familjes së madhe durrsake Spiru, që hedh dritë dhe për historinë e investimeve të huaja, veçanërisht të atyre të figuracioneve, në Shqipëri para Luftës II Botërore.
Kompania britanike me famë botërore “Sun Insurance Office” e Londrës, e krijuar që në vitin 1710, ka lëshuar më 2 dhjetor 1936, ora 16.00, një policë sigurimi për Petraq P. Spirun nga Durrësi. Ky i fundit në agjencinë e Durrësit të “SHOQËRIA SIGURIMI DJELLI m.g.t. LIMITUAR” ka siguruar nga zjarri një pasuri me vlerë prej 50 mijë franga ar, duke paguar 155 (150 siguracioni plus 5 taksa) franga ar në monedhë metalike.
Sipas policës së sigurimit njëvjeçar, bëhet fjalë për një ndërtesë dykatëshe me 5 dyqane me numra 5,6,7, 8, 9, me sende tregtare jo të rrezikshme, bar, zyrë dhe rrojtore në katin përdhes, si dhe me një kat për Hotel TIRANA.
Kjo policë (shkruar gabimisht në formularin tip në gjuhën shqip të radhitur në shtypshkronjë “polcë”) ka rëndësi për historikun e siguracioneve në Durrës (të mos harrohet se në vitin 1936 qyteti bregdetar ishte me një popullsi të vogël 8 mijë banorësh, vinte pas Tiranës, Korçës, Shkodrës, Elbasanit, Vlorës).
Tërheq vëmendjen edhe mikrotoponimia e qytetit: “Sheshi Liria”, “Rruga Ali Pashë Tepelena”, Hotel “Tirana”, që ndihmojnë në hartimin e historisë së qytetit.
Dokumenti dëshmon dhe për një etapë të zhvillimit të gjuhës shqipe dhe terminologjisë (sigurim, i Siguruari, Shoqëri Sigurimi etj.).
Formulari tip i kompanisë britanike është përkthyer në dialektin e jugut, ndryshe nga gjuha zyrtare e administratës, ndonëse dhe këtu është ruajtur dhe një përcjellore (infinitiv) gegërisht “tue qënë”.
Ruhen dhe trajtat e shkurtra të përemrit (“t’i” dhe “t’u”), kur administrata aktuale shqiptare i shkruan bashkë, pasi nuk di të dallojë, për shembull, përemrin vetor “ti” nga trajta e shkurtër “t’i”).
Përkthyesi i formularit tip njeh natyrën e shqipes, që edhe fjalët e huaja i lakon. Kështu “stock”, vërtet, nuk e shkruan “stok”, por në një rast e shkruan në rasën gjinore “stock-ut”. Kjo bën përshtypje dhe për atë që në mediet e sotme, emra e huaj nuk lakohen në kundërshtim me standardin. Dhe ta mendosh se përkthyesi e ka respektuar shqipen 70 vjet të shkuara!
Agjencia e lajmeve “Dyrrah” po boton të tejshkruar faqen e parë të policës së sigurimit, duke mos vënë dorë në gjuhën e origjinalit.
Dokumenti
Majtas:
Axhensi e DURRËSIT
Në qendër:
Sun Insurance Office
Limited
Founded 1710
Trademark
Chief Office: THREADNEEDLE STREET, LONDON, E.C.2
Majtas trademark-ut:
POLCË ZJARI.
№ 17035921
KËSHILLTARËT
Kryetari: (Chairman)
Zëvendës Kryetari:
N/Kryetari:
Menaxheri dhe Sekretari i Përgjithëshëm:
Djathtas trademark-ut:
SUMA SIGURUAR
Fr.arri 50.000.-
AFATI.
Dymbëdhjetë muaj……. ditë
prej 2 Dhjetor 1936
deri më 2/XII/1937 më ora 4 pas m.d.
PREMIUM-I fr. …. 150.-
Taksa……… ″ …. 5.-
Timbra…….. …..
Pagesa e tanishme… Fr.A. 155.-
Pagesa e arthme…………..
Në faqe:
Këjo Polcë Sigurimi dëshmon se z. Petraq P. Spiru Durrës mbas kësaj qojtur i siguruari, ka paguar në S H O Q Ë R I A S I G U R I M I D J E L L I m. g. t. L I M I T U A R (mbas kësaj qojtur Shoqëria) shumën prej Franga arri metal njëqint dhe pesëdhjetë (Fr.arri150.-) për t’u siguruar kundrejt humbjes ose dëmit prej zjarri ose rufeje, sikundër përmendet më poshtë, pronën përshkruar më poshtë, në shumërat e ndryshme që pasojnë, domethënë:
Mbi ndërtesën e poshtëshënuar, duke përjashtuar themelet, ndodhur në Sheshin Liria № 5,6,7, 8, 9 et Ruga Ali Pashë Tepelena №1 (numura të dyqanevet) e përbërë prej përdhesi për përdorim dyqanesh me sende tregëtare jo të rezikshme, bar, zyrë, dhe roitore, dhe një kati për përdorim hoteli me emërin Hotel TIRANA, ndërtuar me gurrë dhe tulla, mbuluar me tjegulla, në të tre anët e izolluar dhe më një anë e bashkuar me një ndërtesë po të këtij ndërtimi, për sumën e frangavet arri metal pesëdhjetë mijë (Fr.arri Metal 50.000.-).
Shoqëria me anët të kësaj ësht dakord me të siguruarin (por si mbas konditave prapa kësaj, të cilat do të konsiderohen si pjesë e kësaj Polce) që prona përshkruar në këtë, ose ç’do pjesë e saj, po të prishet ose të dëmtohet prej zjarit ose rufesë në ç’do kohë ndërmjet ditës Dy të Dhjetorit 1936 dhe deri në ora katër pas mes dite të ditës dë Dy Dhjetorit 1937 ose në ç’do kohë që pason, kur i siguruari ose ______ Përfaqësonjësit që kanë interesë do t’i paguajnë Shoqëriës dhe ajo të pranojë, shumën e kërkuar për përsëritjen e kësaj Polce, më ose përpara ditës Dy të Dhjetorit 1937 dhe në skadimin e ç’do Dymbëdhjetë Muajë Kalendari…. Ditë pas kësaj Shoqëria, prej kapitalit të saj, Stock-ut Fondeve dhe pronës, do t’i paguajë ose do t’i plotësojë të Siguruarit vleftën, në kohën e ngjarjes së kësaj humbje, të pronës prishur kësisoj, ose shumën e dëmit të këtillë, deri me një shumë që nuk do të kalojë respektivisht me sendet e ndryshme specifikuar këtu brenda shumën që ësht vënë kundrejt tyre veçanërisht e cila sumë nuk do të kalojë tërësisht shumën e pesëdhjetë mijë franga arri Metal (Fr.arri Metal 50.000.-).
Për t’u vërtetuar këtë; tue qënë plotësisht dhe posaçërisht t’autorizuar dhe të fuqishmë prej Këshilltarëve të Shoqërisë në fjalë, kemi vënë dorën dhe vulën në këtë më ora 4 këtë ditën e Dytë të Dhjetorit 1936.
Këjo Polcë nuk ka vleftë për veç se kur ësht nënshkruar prej Axhentit të DURRËSIT [vula].
AXHENT
Vëllas Mana
Në faqen e pasme, pasi përsëritet numri i policës, i siguruari, dhe shumë, kadenca, vihet shënimi:
“” Ju lutemi lëçitni këtë Polcë dhe në rast se kërkohet ndonjë ndryshim ktheheni për t’u korixhuar”.
Pastaj vijojnë “KONDIDAT E PËRGJITHSHËME që i përkasin kësaj Polce janë këto:…”
/Thanas Mustaqi, Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





